RTSH 24 Live

Politikë

"Po përdoret nga Rama", Basha i kundërpërgjigjet Berishës: Kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli

25/05/2023

"Po përdoret nga Rama", Basha i kundërpërgjigjet Berishës: Kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli

Akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, se Lulzim Basha po menaxhohet nga Kryeministri Edi Rama, ish-kryedemokrati iu është përgjigjur me një reagim në Twitter, duke e konsideruar Berishën si personin që mbolli dështim në PD, duke vendosur parësore interesat personale, mbi ato të dmeokratëve.

Nëse Berisha do të kishte sulmuar Ramën, thotë Basha, rezultati në zgjedhjet vendore te 14 majit, nuk do ishte fitorja me 53 bashki nga PS.

“Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve. Sot si dje ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve”, shkruan Basha.

Pak më parë, Berisha në një prononcim për media u shpreh se Lulzim Bashën se po vijon të përdoret nga Rama. Madje dhe vendimi për tu rikandiduar ose jo në krye të PD, Berisha thotë se Basha do të pyesë Ramën.

“Të pyesë Ramën ai. Ai është vegël në dorën e Ramës. Agjendën e tij ia shkruan Rama. Pikë le të bëjë çfarë të dojë. Asnjë interes nuk kam”, tha Berisha.

Ish-Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu rikthye dje (24 maj) jetës aktive politike përmes një takimi me të rinjt. Basha theksoi nevojën për lista të hapura të kandidatëve për deputetë, vetting të politikanëve dhe kufizim të mandateve për kryeministrin.

/rtsh.al/