Në Komisionin e Ligjeve, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi dyshime të forta për përdorimin politik te Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish Sigurimit. Bardhi, tha se ky institucion është vetëofruar për t'u keqpërdorur politikisht për dosje të veçanta, e si shembull ai solli debatin mi dosjen "IM".
"Një nga arsyet pse Kuvendi ja u jep paratë është të bëni detyrën dhe të mos ngatërroheni me politikë. Dy vite më parë, nxorët një letër dhe ja dhatë Kryetares së Kuvendit, sikur keni zbuluar një gjë të madhe. Lindita Nikolla, doli në konferencë dhe shpalli tronditjen e saj politike, njerëzore e psikologjike. U morën mediat dy muaj dhe u harruan. A mund të na thoni ca u bë me atë çështje? U përfshitë në politikë! U keqpërdoret politikisht dhe çështja u shua! A mund të na thoni ca po ndodh? U shokua në atë kohë kryeparlamentarja. Taulant Balla lidhi kokën me shami. Kjo vë në pikëpyetje integritetin e këtij institucioni dhe ju nxjerr lehtësisht të keqpërdorur publikisht. Një iniciativë nga ana juaj, pa e kërkuar njeri. E keni qetësuar Lindita Nikollën ju apo ca është bërë me këtë çështje", tha Bardhi.
Kryetarja e Autoritetit, pranoi se çështja ka ngelur vetëm si debat politik dhe në vazhdim nuk është kryer asnjë verifikim.
"Ne nuk kemi pasur ndonjë kërkesë për verifikim të figurës për personin në fjalë. Nëqoftëse do të ketë ne do ta bëjmë", tha ajo.
/rtsh.al/