RTSH 24 Live

Aktualitet

Balluku në Izrael, takon drejtorin e mbrojtjes Kibernetike: Rrisim bashkëpunimin

24/01/2023

Balluku në Izrael, takon drejtorin e mbrojtjes Kibernetike: Rrisim bashkëpunimin

Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku po zhvillon një vizitë zyrtare në Israel. Ajo ka zhvilluar edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm i Drejtorisë Kombëtare, Gabi Portnoy. Në një postim në Facebook, Balluku bën të ditur se u diskutua për vijimin e bashkëpunimit për ngritjen e kapaciteteve dhe të një mjedisi kibernetik sa më të sigurtë, për vendin tonë.

“Me Z. Gabi Portnoy, Drejtorin e Përgjithshëm Kombëtar të Cybersecurity, një nga partnerët kryesor të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë kaq kritike këto kohë për ne. Me Z. Portnoy diskutuam për vijimin e bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi si dhe angazhimin e palës shqiptare për ngritjen e kapaciteteve dhe të një mjedisi kibernetik sa më të sigurtë”, shkruan Balluku. 

Shërbimet publike online në vend ranë pre e një sulmi kibernetik më 15 korrik, ku përgjegjësinë për këtë e mori grupi Homeland Justice” pro-iranianë. Nisur nga kjo, qeveria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria vendosi largimin brenda 24 orësh të të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, në Shqipëri.

/rtsh.al/