RTSH 24 Live

Sociale

Aromë Lunxhërie/ Mimoza Duka, gruaja që punon mes natyrës dhe traditës

17/09/2023

Aromë Lunxhërie/ Mimoza Duka, gruaja që punon mes natyrës dhe traditës

Pasurinë natyrore të Lunxhërisë, duket se vendasit kanë ditur ta shfrytëzojnë në mënyrën më të bukur për të jetuar.

Njëra prej tyre është Mimoza Duka, 57-vjeçarja duarartë, e cila për Radio Televizionin Shqiptar rrëfen se natyrën e ka kthyer në aleate, për sjellë në treg prodhime tërësisht BIO sipas një recete të trashëguar ndër breza.

Unë vij nga zona e Lunxhërisë nga Gjirokastra. Zonë shumë e pasur, me një natyrë shumë të bukur. Atje rriten të gjitha frutat dhe erzat me të cilat unë bëj likernat, glikot dhe çajrat. Një frut, unë e kthej në disa produkte, çka do të thotë se është një risi shumë  e mirë që ta mësojë dhe brezi i ri. Unë këtë e kam trashëgimi nga nëna ime dhe që tashmë e bëj më shumë kënaqësi dhe pasion. Trahananë e bëjmë vetëm me kos, në magje druri më recetën e vjetër,” thotë Mimoza Duka.

Puna e përditshme e Mimozës shtrihet mes malit dhe qytetit, një lodhje që nuk ka zbehur aspak pasionin e saj.

Në etiketat e mija shkruhet “Made in Mimoza” ( e prodhuar nga Mimoza) sepse çdo gjë kalon në duart e mija. Të gjitha frutat dhe bimët i mbledh vetë në mal, pastaj i përpunoj me shumë kënaqësi duke pasur një mësues të shkëlqyer, nënën time që tani është në moshë të madhe, e cila më rri në kokë për çdo gjë. Turistët e huaj në Gjirokastër i kanë blerë shumë pasi janë të gjitha prodhime BIO. Unë jetoj me këtë gjë, edhe pse rreziqet janë shumë të mëdha gjatë mbledhjes së bimëve në mal, por kënaqësinë e kam shumë të madhe pasi natyra më tërheq për çdo gjë atje. Bimët e egra që në I mbledhim janë më shumë se bimë, janë ilaçe,” thotë Mimoza Duka.

Përtej fytyrës së qeshur, Mimoza e ka dhe një merak: vazhdimin e traditës tek më të rinjtë.  Dhe për ta përcjellë këtë trashëgimi, ajo nuk resht së promovuari tek vajzat e reja, kulinarinë e pasur tradicionale të Lunxhërisë.

Gazetare: J. Sagajeva

/RTSH/