Kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet problematike që prek sistemin riprodhues femëror.
Për ta kapur hershëm ekzistojnë metoda depistuese dhe diagnostikuese, por një nga format e parandalimit të kësaj sëmundjeje është edhe vaksinimi.
Në Gjirokastër që prej vitit 2022 e kanë aplikuar vaksinën kundër virusit njerëzor të papilomës 457 vajza të moshës 9–20 vjeç.
"Numri i vaksinave të kryera është në rritje çdo vit dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Popullata e kësaj moshe është ndërgjegjësuar për kryerjen e vaksinës për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës," thotë Noris Doraci, shef i Shërbimit Epidemiologjik.
Z. Doraci kërkon më tepër ndërgjegjësim nga ana e prindërve, duke u shprehur se rastet me këtë sëmundje në Shqipëri shtohen me 100 çdo vit.
"Për nga renditja e kancereve që prekin femrat kjo është e dyta, pas kancerit të gjirit. Vaksina është parandaluese dhe është mirë të kryhet në moshën 13–20 vjeç," tregon shefi i Shërbimit Epidemiologjik.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër herë pas here organizon aktivitete sensibiliuese dhe ndërgjegjësuese mbi rëndësinë që kjo vaksinë ka.
Në shkolla, specialistët e promocionit dhe edukimit shpërndajnë informacion mbi sëmundjen dhe masat që duhen marrë përmes aplikimit të vaksinës HPV që në moshë të hershme.
/rtsh.al/