Mësuesia është një nga programet për të cilën ka një interes në rritje nga studentët, që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
Për mikrofonin e RTSH-së disa prej tyre tregojnë arsyen pse e kanë zgjedhur këtë fakultet.
"Kam mbaruar për Infermieri të Përgjithshme. Jam licensuar në Shqipëri dhe kam shkuar si e punësuar në Gjermani. Edhe aty u licensova. Për arsye personale u ktheva në Shqipëri. Doja të ndryshoja degën time dhe mendova si opsion gjermanishten, për ta ushtruar për një kohë të gjatë si profesion mësuesinë apo përkthimin. Unë kam edhe një vajzë të vogël. infermieria nuk më jep aq komoditet për përkujdesjen ndaj vajzës sa do të më jepte gjuha gjermane apo mësimdhënia," tregon një studente e re.
Të pyetur se ku e shohin të ardhmen e tyre, ata pohojnë se tregu që ofron vendi ynë është i sigurt.
"Jam e idesë që të shkojmë jashtë, të hapim horizontet, të kthehemi këtu dhe t'i japim një frymë vendit. Kam gjetur shumë mundësi pune nga fakulteti. Shoh një të ardhme shumë të mbarë për mua. / Më e vogël do të thosha në Gjermani për shumë arsye, ndërsa sot them këtu. E shoh të ardhmen këtu," thonë dy studente.
Edhe ky vit akademik shënoi një trend të njëjtë me një vit më parë, kur më të preferuarat degë kryesuan gjuha angleze, pasuar nga ajo gjermane, ndërsa më pak të preferuara mbetën gjuha greke dhe ruse.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/