RTSH 24 Live

Sociale

17 të rinj në shkollën profesionale për "shërbime në mjete transporti"

21 orë para

17 të rinj në shkollën profesionale për "shërbime në mjete transporti"

Janë nxënës të vitit të parë në shkollën profesionale "Thoma Papapano", që studiojnë në degën "Shërbime në mjete transporti".

I gjejmë ata në një orë të praktikës mësimore, ku po vendosin në zbatim njohuritë teorike.

Të rinjtë shprehen se e kanë zgjedhur këtë degë pas promovimit që u është bërë nga vetë shkolla, me synimin për të marrë një profesion që u garanton jetën.

"Unë i kam pasion makinat, por na erdhën edhe disa mësues të shkollës për ta reklamuar atë. Me këtë profesion gjen edhe një punë, diçka për të vazhduar jetën më tej," shprehet një nxënës.

Profesori i praktikës, Robert Gano, shprehet se të rinjtë janë të përkushtuar dhe frekuentues të rregullt të orëve që zhvillohen në ambientet e ofiçinës.

"Mbaruan modulet e axhusterisë dhe kemi filluar të zbërthejmë motorin. Janë nxënës shumë të përkushtuar në praktikë. Ne përpiqemi t'i ndihmojmë ata me të gjitha mënyrat," tregon mësuesi, z. Gano.

Ky vit shkollor ka bërë bashkë në këtë drejtim mësimor 17 të rinj nga rajoni jugor, nga 50 që priti për herë të parë kjo shkollë profesionale së bashku me dy degët e tjera, “TIK” dhe “hoteleri-turizëm”.

/rtsh.al/