Sigurimi Shoqëror Vullnetar është një mundësi më tepër për ata që kanë periudha të paplotësuara kontributive.
Specialistja e këtij institucioni në Gjirokastër, Enkelejda Shkurti, bën me dije se për vitin 2024 është realizuar plani në masën 95 për qind.
Interesi i qytetarëve për të plotësuar vitet e punës është në rritje nga viti në vit.
"Sigurimet Shoqërore e mbyllën 2024-ën me sukses. Personat mundohen të plotësojnë vjetërsinë e punës në përgjithësi. Kontingjenti më i interesuar janë ata që dalin ose janë në prag pensioni dhe nuk kanë kushtin 15 vite për t'u siguruar," shprehet znj. Shkurti.
Ndërkohë që me nisjen e vitit 2025, të gjithë ata që e kryejnë pagesën menjëherë gjatë muajt janar, kontributi ka një ulje 6 për qind. Nëse paguhet në 6 muaj, përfitohet zbritja 3 për qind.
"Kontribuesit e rregullt, që janë të informuar dhe e dinë, vijnë çdo janar të bëjnë pagesën," thotë specialistja.
Sigurimi vullnetar mund të paguhet nga çdo individ që ka mundësinë të blejë vitet e punës për t'i plotësuar dhe të ketë mundësinë për pension pleqërie.
Gazetare: L. Fili
/rtsh.al/