RTSH 24 Live

Sociale

Emigracioni dhe planifikimi familjar, shkak për rënien e numrit të lindjeve

21 orë para

Emigracioni dhe planifikimi familjar, shkak për rënien e numrit të lindjeve

Në Elbasan ka rënë numri i lindjeve. Gjatë vitit 2024 në maternitetin e qytetit lindën 1.021 foshnja, por krahasuar me vitin 2023, ky numër ishte 1.059, pra 38 lindje më pak.

Në bazë të statistikave rezulton se janë rreth 800 lindje më pak se 10 vite më parë.

Mjeku gjinekolog, Oligert Alla, shprehet se shkak kryesor për lindshmërinë e ulët mbetet emigracioni.

Shumë çifte që ndiqen nga mjeku vendosin që muajt e fundit të shtatzanisë të emigrojnë në vende të Bashkimit Europian për të qëndruar dhe për t'u punësuar atje, si dhe benefite të tjera.

Një tjetër shqetësim për mjekun specialist mbetet përdorimi i tabletave të emergjencës për të kryer aborte të parekomanduara nga mjeku.

Shpeshherë në pavijonin e Gjinekologjisë, mjekët shprehen se vijnë vajza në gjendje tepër të rëndë, duke rrezikuar jetën e tyre.

"Kemi raste të aborteve medikamentoze me komplikime të shumta. I këshilloj vajzat të mos përdorin medikamente që merren pa këshillën dhe mbikëqyrjen e mjekut," tregon Dr. Alla.

Një shkak tjetër, por sipas mjekëve po aq i rëndësishëm për uljen e lindjeve, është bërë dhe planifikimi familjar, pasi shumica e çifteve zgjedhin të lindin më pak fëmijë për arsye karriere ose ekonomike.

/rtsh.al/