Qendra Rajonale e Formimit Profesional (QFRP) në Shkodër po shënon një rritje të vazhdueshme të interesit nga të rinjtë për trajnimet që ofron.
Aktualisht në këtë qendër zhvillohen rreth 30 kurse trajnimi, në të cilat vetëm gjatë 2024-ës u përfshinë mbi 900 të rinj, shumë prej të cilëve kanë arritur të përfshihen në tregun e punës.
"80 për qind e tyre janë punëkërkues," deklaron drejtoresha e Qendrës, Irma Lohja.
Profesionet më të kërkuara përfshijnë fushat si aftësim digjital, parukeri, instalime elektrike dhe hidraulike e të tjera, duke u bërë kështu një qendër e rëndësishme për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
"Jam këtu për njohuri digjitale për arsye se është një ëndërr që e kam pasur prej shumë vitesh dhe mendoj që do të më ndihmojë në të ardhmen," thotë kursantja Laureta Gaspri.
"Vitin e kaluar kemi trajnuar rreth 45 kursantë. Disa janë vetëpunësuar, disa janë punësuar nëpër berberë të tjerë," tregon Minir Dibra, instruktor i kursit për berber.
Në vitin 2025, qendra synon të zgjerojë hartën e shërbimeve, duke shtuar gjithashtu edhe numrin e kurseve për profesione të reja.
"... siç është për shembull riparimi i kompjuterave apo kurse që kanë lidhje me kompjuterizimin," shton znj. Lohja.
Një nga prioritetet mbetet edhe bashkëpunimi me bizneset lokale dhe rajonale, me qëllim që të rinjtë e trajnuar të gjejnë lehtësisht mundësi punësimi.
Certifikatat që ofrohen nga kjo qendër kanë njohje jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe Evropë, duke i hapur dyer të reja kursantëve për të ndjekur karrierën e tyre jashtë kufijve shqiptarë.
/rtsh.al/