RTSH 24 Live

Sociale

Virozat në Korçë, shtohen rastet dhe thirrjet e mjekëve për kujdes të shtuar

07/01/2025

Virozat në Korçë, shtohen rastet dhe thirrjet e mjekëve për kujdes të shtuar

Rastet me grip dhe viroza të stinës janë shtuar ndjeshëm këtë fillimvit në qytetin e Korçës, ndërsa mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar.

Në shërbimin pneomo-ftiziatrik në Spitalin Rajonal të Korçës, situata është rënduar.

E gjithë kjo ka ardhur për shkak të virozave të stinës, të cilat shkaktojnë probleme në rrugët e frymëmarrjes.

Shefja e Dispanserisë pranë këtij shërbimi, Diana Aliçkolli, thotë se rastet e paraqitura janë shtuar krahasuar me muajin e kaluar. 

"Është një virozë e stinës, që prek rrugët respiratore. Fillon si gjendje virale dhe pastaj kalon në pneumoni dhe astma bronkiale, ndoshta për herë të parë, nga stimulimi i virusit. Aktualisht ne kemi 35 të shtruar, që nuk është gjendje alarmante, por po të vazhdojë kështu gjendja do të kemi fluks më të madh, sepse viroza kalon tre-pesë ditë pacientët rrinë në shtëpi dhe kur ata rëndohen, vijnë te ne," shpjegon shefja e Dispenserisë.

Mjekja thotë se nuk duhen neglizhuar simptomat e gripit dhe kërkon vlerësim të situatës nga ana e pacientëve.

"Duhet pasur shumë kujdes, sepse kjo virozë fillon si grip, jep insuficiencë respiratore, u merret fryma, me hundët e zëna, por kjo gjendje duhet vlerësuar nga mjeku specialist," shton znj. Aliçkolli.

Aktualisht në sanatoriumin e Korçës kryhen 70-80 vizita në ditë. Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, situata e rënduar pritet të zgjasë gjithë muajin janar.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/