Alergologia Alketa Ibranji, e ftuar në një intervistë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, theksoi se tashmë kemi hyrë në sezonin polenik të pranverës, periudhë gjatë së cilës poleni që ndodhet në ajër mund të shkaktojë simptoma alergjike të ndryshme.
“Zyrtarisht kemi hyrë në sezonin polenik të pranverës, çdo grimcë që ndodhet në ajër mund të shkaktojë alergji. Alergji në shumicën e kohës shkaktojnë pluhurat e shtëpisë dhe jo domosdoshmërisht polenet, sepse ato kanë një sezon të caktuar. Ne jemi më alertë për sezonin polenik, pasi vijmë nga një dimër i qetë dhe me shpërthimin e polenave në ajër dhe simptomat janë shumë agresive dhe kjo cenon cilësinë e jetës më shpejtë dhe kjo bën që të kërkoni dhe ndihmën e mjekut. Dëmin më të madh e bëjnë pluhurat e shtëpisë sepse janë me simptoma graduale gjithë vitin dhe mësohesh me atë ngarkesë dhe jo gjithmonë shkon tek mjeku”, u shpreh alergologia.
Sipas Dr. Ibranjit, Agjencia e Ambientit Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë nxjerrë në pah faktin se ajri i ndotur është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e sëmundjeve respiratore, veçanërisht për grupet më të ndjeshme si fëmijët dhe të moshuarit.
“Shëndeti ynë varet edhe nga ajri që thithim, ku cilësia e tij është një ndër komponentët kryesor dhe kryefjala e Agjencisë së Ambientit Evropian dhe OBSH i vendoset një theks i madh cilësisë së ajrit si faktori numër 2 i sëmundjeve respiratorë kryesisht i grupeve që preken më shumë siç janë fëmijët dhe moshat e treta. Me ngrohjen globale nuk kemi më 4 stinët tipike dhe këtë vit ende nuk e dimë sa do të zgjasë sezoni polenik”, tha Dr. Ibranji.
Sipas saj, orët e ekspozimit janë një faktor kyç për të zvogëluar ndikimin e polenit. Ajo theksoi se, nëse shfaqen simptoma, është e rëndësishme të konsultoheni me një alergolog për një diagnostikim të hershëm, pasi trajtimi i shpejtë mund të parandalojë komplikime të mëtejshme dhe të ndihmojë në menaxhimin e simptomave.
“Çfarë kemi në dorë për të bërë sa më mirë janë orët e ekspozimit. Së pari dyert dhe dritaret duhet të jenë të mbyllura të paktën në pikun e polenit që është nga ora 9 e mëngjesit deri ne orën 6-7 të paditës, kujdes nga makinat mos mbani xhamat hapur, kur ktheheni në shtëpi bëni një dush në mënyrë që të mos mbartin polene sepse ato depozitohen në flokë, qerpikë, në rroba etj. Me shfaqjen e simptoma konsultohuni me alergologun sepse diagnostikimi i hershëm do të thotë parandalim”, u shpreh mjekja.
Alergologia Ibranji, ka përmendur një trajtim të miratuar dhe efikas për alergjitë, të cilin e njihet si imunoterapi specifike ose vaksina për alergjitë. Sipas saj, kjo vaksinë ka treguar rezultate të mira dhe është një trajtim që zgjat për një periudhë të gjatë, rreth 3-5 vite, duke ofruar mundësinë për menaxhimin e alergjive në mënyrë më të qëndrueshme.
“Sipas Akademisë Evropianë të Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike, vaksinë të aprovuar që ka rezultuar efikase në trajtimin e alergjive është imunoterapia specifike që ne e quajmë vaksinë dhe është një terapi që zgjat në vite rreth 3-5 vite është periudha optimale. Vaksina bëhet vetëm për problemet respiratore kur gjendet shkaku dhe në rastin e helmit të bletës dhe grenzës kur këto japin reaksion tek një pacient. Për alergjitë ushqimore studimet janë ende në fazë kërkimore”, tha Ibranji.
Alergologia ka shpjeguar se alergjitë kanë një komponent gjenetik dhe mund të mbartin këtë predispozitë edhe tek individët që nuk kanë shfaqur ende simptoma. Ato mund të shfaqen në çdo periudhë të jetës dhe në çdo moshë, duke vërtetuar se janë një fenomen që nuk ka kufizime kohore.
Ibranji shtoi se alergjitë kanë periudha të qetësimit dhe të acarimit, që mund të ndryshojnë në varësi të faktorëve të jashtëm, si sezoni ose ndotja e ajrit. Për këtë arsye, ajo rekomandoi që individët që vuajnë nga alergji të konsultohen me një mjek dhe të ndjekin trajtimin e duhur për të menaxhuar simptomat dhe për të parandaluar komplikimet.
“Alergjitë kanë predispozitë gjenetike mund të mbartin këtë potencial edhe pa shfaqur simptomat prandaj dhe thuhet se ne dashuri dhe alergji nuk ka moshë dhe mund të shfaqet në çdo moshë dhe periudhë. Alergjia ka periudhat e veta të qetësimit dhe të acarimit dhe për këtë është mirë të konsultoheni me një mjek dhe të kuroheni me mjekimin e duhur”, tha alergologia.
/rtsh.al/