Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësin e tij, Abedin Kërrnaja.
Pas hetimeve rezulton se Byberi dhe Kërrnaja kanë shpërdoruar detyrën, duke autorizuar ndërtimin e dy rrugëve pa lejet e nevojshme dhe pa u bashkërenduar me institucionet përkatëse, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe ministritë e linjës, duke shkaktuar një dëm financiar prej 277.6 milionë lekësh.
“Nga të dhënat ka rezultuar se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Konkretisht, për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar), për hapjen e një rrugë të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh.
Konkretisht neni 15 i VKM nr. 408, datë 13.05.2015 ( e ndryshuar) ka saktësuar dokumentet tekniko-ligjore që duhen depozituar në sistemin e-leje gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje), për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 e VKM nr. 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar)”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK-ut, kryetari i bashkisë dhe nënkryetari kanë shkelur ligjin “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit për hapjen e dy rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
/rtsh.al/