RTSH 24 Live

Aktualitet

‘Dosja Veliaj’- Kryebashkiaku ankimoj masën e sigurisë “arrest me burg”, hidhet shorti në GJKKO

4 orë para

‘Dosja Veliaj’- Kryebashkiaku ankimoj masën e sigurisë “arrest me burg”, hidhet shorti në GJKKO

Është hedhur shorti në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me ankimimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Do të jetë gjyqtari, Engert Pëllumbi, sipas shortit, ai që do të shqyrtojë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ankimimin e masës së sigurisë.

Gjyqtari Pëllumbi do të shqyrtojë edhe ankimimin e Elman Abule për masën “arrest me burg”, si dhe për masat “detyrim paraqitje” për Shkëlqim Fushën, Gentian Sulën dhe Meriam Palushin.

Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj u arrestua më 10 shkurt nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i paraqitën Veliajt masën e sigurisë.

Gjykata e Posaçme konfirmoi për kryebashkiakun masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Veliaj dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

/rtsh.al/