Vetëm pak orë nga përfundimi i afatit për regjistrimin e votuesve nga jashtë Shqipërisë, kreu i Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj, përsëriti të martën (4 mars) thirrjen për bashkatdhetarët ende të paregjistruar që të përfitojnë nga mundësia për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në bazë të të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 19:00, më shumë se 350 mijë aplikime kanë kaluar përmes sistemit elektronik të votimit, PER.
Janë rreth 230 mijë zgjedhës unikë që kanë marrë miratimin për t'u bërë pjesë e procesit të 11 majit, ndërsa mbi 42 mijë të tjerëve iu është refuzuar kjo kërkesë.
"Diaspora është Shqipëria. Vota juaj është zëri juaj. Përdorni zërin tuaj për Shqipërinë tonë!
Mos u ankoni, por votoni!" tha z. Gjonaj në mesazhin e tij në rrjetet sociale.
Këshilli Koordinues i Diasporës është një organ i ngritur në vitin 2018 për të përfaqësuar dhe për të koordinuar marrëdhëniet me diasporën shqiptare.
Aktivisti shqiptaro-amerikan, z. Gjonaj, është një nga 15 anëtarët e Këshillit në rolin e kryetarit, po ashtu edhe këshilltar në bashkinë e Nju-Jorkut, ku përfaqëson distriktin e Bronksit.
/rtsh.al/