RTSH 24 Live

Politikë

Sa emigrantë nga 230 mijë votojnë për PD? Kikia: Topalli s’ka përgjigje, por PS po!

5 orë para

Sa emigrantë nga 230 mijë votojnë për PD? Kikia: Topalli s’ka përgjigje, por PS po!

Drejtuesja politike për diasporën në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli nuk ka dhënë një numër apo një projeksion se sa nga 230 mijë vota të Diasporës janë të PD-së.

Duke folur në emisionin ‘Ngjarja kryesore’ në RTSH, drejtuar nga Sonila Agostini Topalli tha se “kam mbaruar për matematikë dhe nuk ia lejoj kurrë vetes që të flas për numrat kur unë shoh një realitet që i përgjigjet një logjike. Eci me logjikë dhe nëse logjika nuk funksionon në politikë atëherë duhet të ngremë shumë pikëpyetje të tjera dhe shtrojmë çështje të tjera”.

Nga ana e tij, analisti Mentor Kikia theksoi se Partia Demokratike nuk ka një përgjigje konkrete për numrat e votave që mund të marrë nga vota e Diasporës, por Partia Socialiste mund ta ketë një të tillë.

Sipas tij, problemi që qëndron në votën e diasporës në raport me Partinë Demokratike është se nuk evidentohet dot është “se sa nga këta që mbushin sallën dhe e mbështesin Partinë Demokratike, janë regjistruar për të kuptuar që më pas do të jenë votues potencialë për Partinë Demokratike”.

“Ju ngritët një pyetje për të cilën zonja Topalli me maturi nuk ka një përgjigje por unë mendoj se në kampin tjetër politik në Partinë Socialiste mund ta kenë një përgjigje. Topalli evidentoi me të drejtë atë atmosferën mbështetëse që përkthehet në numrin e njerëzve që i presin në salla drejtuesit e Partisë Demokratike, të cilët janë mbështetës bio, nuk janë të transportuar me autobusë apo me avionë, nuk janë administratë bashkish siç i pamë rëndom siç i organizoi mazhoranca në Greqi dhe Itali. Ajo që nuk evidentohet dot është se sa nga këta që mbushin sallën dhe e mbështesin Partinë Demokratike, janë regjistruar dhe pastaj le se për kë do të votojnë. Mund të kenë nga ata që moralisht e mbështesin Partinë Demokratike por nuk dimë sa nga këta mbështetës janë regjistruar për të kuptuar që më pas do të jenë votues potencialë për Partinë Demokratike”, u shpreh Kikia.

/rtsh.al/