Drejtuesja politike për diasporën në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, u shpreh në emisionin ‘Ngjarja kryesore’ në RTSH se Diaspora shqiptare është një bllok elektoral i jashtëzakonshëm.
“Diaspora potencialisht ka të gjithë mundësinë e numrave dhe fuqitë e saj elektorale për të sjellë një rotacion politik në Shqipëri,” u shpreh Topalli.
Për Topallin, të organizoje mbështetësit e PD-së jashtë Shqipërisë ka pasur sfidat dhe vështirësitë e veta në rrethanat politike kur fushata ka nisur një vit më vonë.
“Është periudhë e shkurtër në fakt. Ka qenë jashtëzakonisht intensive. Nuk ka qenë e thjeshtë, në fillimet e veta. Ne kemi qenë më të vonuar sesa pjesa tjetër sepse ata kishin një vit që punonin por besoj se për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër kemi rikuperuar shumë dhe ja kemi dal për të siguruar një mbështetje të rëndësishme. Vetëm dy ditë më parë ky aktivitet ka kulmuar me aktivitetin e Milanos me liderin e PD-së, Sali Berisha. Ishte një takim jo vetëm i madh në numër, por ishte një takim që kishin ardhur njerëz mbi 350 km larg për të qenë në takim."
Më tej Topalli tha se për herë të parë shqiptarët e Diasporës kanë mundësi që të bëhen pjesë e një procesi politik të jenë dhe faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm që të kushtëzojnë çdo faktor politik në Shqipëri që në çdo vendimmarrjen e tyre të keni parasysh diasporën.
/rtsh.al/