RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit, ish-presidenti Moisiu i jep një mesazh klasës politike

13 orë para

Zgjedhjet e 11 majit, ish-presidenti Moisiu i jep një mesazh klasës politike

Ish-presidenti Alfred Moisiu, i pranishëm në një aktivitet përkujtimor të komunitetit çam në Elbasan, përcolli për klasën politike në vend një mesazh në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.

Ai theksoi rëndësinë e një procesi të qetë dhe demokratik.

"Në radhë të parë uroj që këto zgjedhje të bëhen të qeta, të tregojmë se ne shqiptarët jemi vërtet popull që e duam demokracinë, duam shtetin, duam dhe drejtësinë," tha ish-kryetari i shtetit.

Për 20-vjetorin e nderimit me titullin "Medalja e Artë e Shqiponjës" të pjesëtarit të komunitetit, Nuri Zane, z. Moisiu theksoi edhe njëherë nevojën e zgjidhjes së çështjes çame, kërkesë që ai ia bëri publikisht edhe ish-homologut grek Konstantinos Stephanopoulos, se "çështja çame ekziston dhe obligimi ynë është që ta zgjidhim atë".

"Bota po shkon drejt zbardhjes të të gjitha gjërave, sepse çdo problem, sado që ta mbulosh, ai prapë e ngre kokën. Të dy drejtuesit e shteteve tona duhet të merren vesh ndershmërisht dhe t'i vendosim pikat mbi i," u shpreh ish-presidenti Moisiu.

Në vitin 2004, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë, që e detyron qeverinë të ngrejë çështjen çame në marrëdhëniet me Greqinë.

/rtsh.al/