RTSH 24 Live

Europë

Macron: Jemi në një epokë të re. Siguria e Francës kërcënohet nga pushtimi i Putinit

12 orë para

Macron: Jemi në një epokë të re. Siguria e Francës kërcënohet nga pushtimi i Putinit
Presidenti francez, Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një fjalim para kombit, deklaroi se SHBA ka ndryshuar pozicionin e saj për luftën në Ukrainë, ndërsa në të njëjtën kohë do të vendosë tarifa tregtare edhe ndaj Evropës.

Sipas tij, bota është bërë më e pasigurt, duke shtuar se "tani ne jemi tani në një epokë të re". 

Siguria e Francës kërcënohet nga pushtimi i Putinit

Macron tha se nuk është vetëm populli ukrainas që po lufton me guxim, por edhe siguria e Francës është tashmë e kërcënuar.

Ai nënvizoi se nëse një vend mund të pushtojë një tjetër, atëherë askush nuk mund të jetë më i sigurt se çfarë do të ndodhë. “Këtë na e ka treguar historia. Kërcënimi i Rusisë është aty dhe po na prek neve”, theksoi ai.

Presidenti francez renditi edhe mënyrat se si po kryhet ky kërcënim nga Putin, duke përmendur sulmet ndaj spitaleve, si dhe duke pretenduar se “Rusia po manipulon opinionet në mediat sociale”.

“Kush mund të besojë se Rusia do të ndalet me Ukrainën?” pyeti ai, duke deklaruar se “Franca po fokusohet tek armatosja”.

Nuk mund ta braktisim Ukrainën

Rruga drejt paqes nuk mund të shkojë duke “braktisur Ukrainën”, tha Macron në fjalimin e tij para kombit.

Ai shtoi se Rusia nuk respektoi një marrëveshje të mëparshme armëpushimi që ishte negociuar, dhe për këtë arsye "ne nuk mund t'u besojmë më fjalëve" të liderit rus.

Macron thotë se po punon me aleatët në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe disa vende të tjera në Evropë.

Ai flet për garancitë e sigurisë për Ukrainën pasi të arrihet një marrëveshje paqeje, duke përfshirë "dislokimin e forcave evropiane" në vend.

Ai theskoi se planifikon të mbajë një takim të shefave të ushtrisë evropiane në Paris javën e ardhshme.

“Duhet të jemi gati nëse SHBA-të nuk janë më pranë nesh”

Macron tha se Franca, së bashku me Ukrainën dhe vendet e tjera evropiane, kanë përgatitur një "plan të fortë dhe të qëndrueshëm për paqen" dhe se pasi të arrihet paqja, paqeruajtësit evropianë mund të vendosen për ta siguruar atë.

Ai shtoi se shkoi në Shtetet e Bashkuara dy javë më parë për ta mbrojtur këtë plan.

“Dua të besoj se SHBA-të do të qëndrojnë në anën tonë, por ne duhet të jemi gati nëse nuk është kështu”, thotë Macron.

Paqja në Ukrainë duhet të vendoset shpejt, thotë ai, dhe se pavarësisht nëse arrihet apo jo, vendet evropiane duhet të jenë të gatshme të përballen me kërcënimin rus.

/rtsh.al/