Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paraqiti sot programin e qeverisjes së PD-së 2025-2029 për sektorin e “energjisë dhe burimeve natyrore”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se në “projektin ‘Shqipëria Madhështore’, Shqipëria mund të bëhet realisht një superfuqi energjetike në rajon”.
“Në programin tonë, ne duam që Shqipërinë ta shndërrojmë në një superfuqi energjetike të rajonit, në të cilin përfituesit më të parë do të jenë qytetarët shqiptarë. Ne duam të përdorim çdo burim energjie për t’ua shitur shqiptarëve më lirë energjinë. Ky është një qëllim madhor i yni”, tha Berisha.
Berisha tha se “në 12 vite koha për investimet në energji ndaloi”, duke theksuar se socialistë sa erdhën në pushtet anuluan kontratat për investime.
“Koha ndaloi, dhe më keq se ndaloi në 12 vite për energjinë. Kanë ndërtuar gjithsej me kontratat e tyre, disa parqe të vogla që shkojnë apo jo, 50-60 megavat në tërësinë e tyre, në një kohë që Shqipëria është një nga vendet më me diell të të gjithë rajonit”, tha Berisha.
Më tej ai nënvizoi se PD ka potencialin “për ta dhënë energjinë me çmimet më të arsyeshme se çdo vend tjetër”.
“Ne sigurisht që e kemi qendror energjinë dhe rolin e saj. Dhe me shpejtësi do i rikthehemi së pari nxitjes së prodhimit nga të gjitha burimet e pashtershme të Shqipërisë. Ne do i rikthehemi ndërtimit të hidrocentraleve të mëdha, të mesme, të vogla dhe shumë të vogla. Me praktikat më të shpejta, më të leverdishme. Ne kemi një platformë që të mundësojmë të kreditojmë, të financojmë ndërtimin e qindra e qindra HEC-eve e në mos më shumë”, tha Berisha.
“Një potencial tepër i madh është vendosja e një sistemi unik energjetik midis Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Berisha.
Berisha tha se “do vendosim praktikat më transparente për shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe gazit në Shqipëri”
“Mjafton të gazifikoje qytetet kryesore të vendit, nuk po them të gjithë vendin se është i mundur i gjithë vendi pa asnjë vështirësi, sot teknologjia të lejon të gazifikosh kudo, por mjafton të gazifikoje qytetet e mëdha, t’i bëje një kursim të madh se dihet se kostoja është më e ulët për ngrohje e gatim me gazin dhe më e leverdishme. T’i bëje një kursim të madh, një fitim të madh me energjinë elektrike që shpenzohet për këto qëllime”, tha Berisha.
“E rëndësishme është që ne të bëjmë çdo gjë që të vendosim praktikat më transparente në kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin e burimeve energjetike të naftës dhe gazit në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “do ofrojmë metodat më moderne për shfrytëzimin e pasurive të pafundme minerale të këtij vendi”
“Ky vend ka rezerva botërore të mineraleve, nevojat për të cilat mbetet pothuajse e përjetshme. Shqipëria përsëri disponon rezerva kromi, të cilat pak vite më parë tërhoqën gjigantët e minierave në botë si Vankuver, etj.”, u shpreh ai.
“Ne synojmë me projektin tonë Shqipëria Madhështore, të ofrojmë dhe të vendosim metodat më moderne të eksplorimit, studimit dhe shfrytëzimit të pasurive të pafundme minerale të ka vendi. Ne do bëjmë gjithçka që ato të përpunohen jo vetëm në pasurim apo shkrirje, por do bëjmë gjithçka që ato të shndërrohen në Shqipëri në pjesë prodhimi, në makineri prodhimi”, tha Berisha.
/rtsh.al/