Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas informacioneve se një gjyqtar i saj është vënë nën përgjim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në një njoftim të posaçëm, Kushtetuesja evidentoi të martën (4 mars) me shqetësim se veprimtaria e saj po paragjykohet dhe nuk duhet bërë pjesë e debateve mediatike.
"Nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor," thuhet në reagimin e GJK-së.
Gjykata Kushtetuese theksoi se ka vënë re edhe ndërhyrje në pavarësinë e saj.
"Gjykata ka shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj," thuhet në njoftimin për shtyp të Gjykatës.
Pak ditë më parë, kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj, u shpreh se i është drejtuar SPAK-ut me një kërkesë për informacion mbi përgjimin e mundshëm të një anëtari të trupës gjykuese.
/rtsh.al/