RTSH 24 Live

Serbi

Trazira në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës hedhin bomba tymuese

5 orë para

Trazira në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës hedhin bomba tymuese

Konflikti politik disamujor në Kuvendin e Serbisë u përshkallëzua të martën me hedhjen e bombave tymuese dhe gazit lotsjellës nga ana e opozitës.

Disa deputetë të pakicës ndeshën në murin e gardës teksa u çuan nga vendet e tyre drejt kryetares së parlamentit dhe ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, ndërsa kolegët e tjerë i binin borive dhe aktivizuan tymueset me ngjyrë të zezë e të kuqe, duke mbuluar për një moment fushëpamjen e televizioneve që po transmetonin drejtpërdrejt.

Kryeparlamentarja Bërnabiq tha se dy deputetë morën lëndime nga përplasjet në Kuvend. Një deputete u raportua në gjendje më kritike shëndetësore. "Parlamenti do të vijojë punën dhe do të mbrojë Serbinë," u shpreh ish-kryeministrja.

Sot (4 mars) parlamenti serb ishte planifikuar të miratonte një ligj për rritjen e financimit për universitetet, që është një nga kërkesat e studentëve, të cilët kanë penguar zhvillimin e leksioneve dhe provimeve që nga muaji dhjetor. Demonstratat e tyre të mbështetura edhe nga shtresa të tjera shoqërore u nxitën nga aksidenti tragjik me 15 viktimave, si pasojë e shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi-Sad më 1 nëntor.

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha të hënën se me dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq në janar, ai pret që qeveria e re të formohet brenda 40 ditëve.

Seanca e së martës, që nisi pas një ndërprerje tremujore, kishte 62 pika në rendin e ditës. Ligjvënësit opozitarë përsëritën qëndrimin për "rënien e qeverisë", ndërsa shpalosnin pankartën me shkrimin "Serbia ngjitet, regjimi bie". /AJ, Reuters

/rtsh.al/