RTSH 24 Live

Serbi

Dënimi me burg i Dodik, Serbia: Vendim politik, kërcënon stabilitetin në Bosnje-Hercegovinë

27/02/2025

Dënimi me burg i Dodik, Serbia: Vendim politik, kërcënon stabilitetin në Bosnje-Hercegovinë

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq e ka cilësuar vendimin për dënimin me 1 vit burg të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, si vendim politik dhe vijim të përndjekjes së serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjuriq deklaroi se vendimi kundër Dodikut nuk është çështje ligjore, por ekskluzivisht politike që kërcënon stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës.

“Veçanërisht shqetësues është zbatimi selektiv i ligjit nga institucionet gjyqësore në Sarajevë, të cilat me dekada kanë treguar tendencë për të gjykuar politikisht serbët, ndërsa shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve nga aktorët e tjerë politikë janë injoruar plotësisht”, tha Gjuriq në një postim në rrjetin social X.

Gjykata e Sarajevës e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim, duke i ndaluar edhe ushtrimin e detyrës në krye të presidencës serbo-boshnjake, për shkak se nuk ka respektuar vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare që kujdeset për paqen në vend, Christian Schmidt.

Sipas marrëveshjes së paqes të Dejtonit që i dha fund luftës së Bosnjës 1992-1995, vendi u nda në dy gjysma shumë autonome, një federatë myslimano-kroate dhe Republika Srpska e dominuar nga serbët.

Të dy janë të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore, nën mbikëqyrjen e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar.

/rtsh.al/