Policia serbe ka kryer kontrolle në zyrat e katër organizatave të shoqërisë civile, pas nisjes së hetimeve ndaj tyre se mund të kenë keqpërdorur fondet e USAID-it.
Prokuroria e Lartë në Beograd konfirmoi se ky hetim ishte nisur pas deklaratave publike të disa zyrtarëve të lartë serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili kishte akuzuar USAID-in për financimin e një "revolucioni me ngjyra" në Serbi, duke iu referuar protestave studentore.
Pas informacioneve të shkëmbyera mes Serbisë dhe Departamentit të Drejtësisë në SHBA, policia ka kontrolluar zyrat e katër organizatave joqeveritare: KRRT, Iniciativat Qytetare, Qendra për Politikë Praktike dhe Fondacioni Trag.
Këto organizata kanë akuzuar autoritetet për "sulm të të drejtave themelore qytetare dhe vazhdimin e një presioni të paligjshëm ndaj shoqërisë civile" në Serbi.
“Autoritetet po përpiqen të zbatojnë mekanizmat e frikësimit dhe persekutimit pa miratuar Ligjin për agjentët e huaj, i cili ka hyrë në procedurë parlamentare, por ende nuk është miratuar zyrtarisht”, thuhet në deklaratë.
/rtsh.al/