RTSH 24 Live

Serbi

Macron dhe Vuçiç flasin në telefon për protestat dhe të ardhmen e Serbisë

08/02/2025

Macron dhe Vuçiç flasin në telefon për protestat dhe të ardhmen e Serbisë

Protestat e përditshme studentore kundër korrupsionit që nisën në nëntor në Serbi vijuan edhe këtë të shtunë, duke e zgjeruar rrethin e mbështetësve me stafin e shkollave dhe teatrove. Protestuesit kërkojnë të mbahet përgjegjësi për tragjedinë e 1 nëntorit në Novi-Sad, ku shembja e tavanit të stacionit të trenit u mori jetën 15 personave.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron, për ta informuar mbi situatën dhe krizën politike që po kalon vendi. Pas dy ministrave, edhe kryeministri Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen nën presionin e protestuesve, ndërsa parlamentit i mbetet më pak se një muaj kohë për të zgjedhur një qeveri të re.

"Unë besoj se dialogu është mënyra e vetme për të dalë nga kriza politike," shkroi z. Vuçiç në rrjetin social Instagram, ndërsa nuk e ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Presidenti serb gjithashtu ka shprehur pretendimin se studentët po financohen nga shërbimet e huaja sekrete për të rrëzuar qeverinë e tij.

Ndërkohë presidenca e Francës, në komentin e saj për bisedën telefonike me presidentin Vuçiç, theksoi se Macron i beson të ardhmes europiane të Serbisë.

"Në këtë kontekst, ai shprehu besimin e tij në aftësinë e Serbisë, duke shmangur çdo dhunë nga të gjitha anët, për të gjetur rrugën drejt një dialogu që respekton ndjeshmëritë e të gjithëve, që do të bënte të mundur forcimin e besimit në institucionet dhe përparimin në rrugën e saj evropiane," njoftoi zyra e presidentit Macron.

/rtsh.al/