RTSH 24 Live

Serbi

Votoi pro rezolutës për Ukrainën, Kremlini pranon faljen e presidentit serb

4 orë para

Votoi pro rezolutës për Ukrainën, Kremlini pranon faljen e presidentit serb

Një ditë pas kërkesës së faljes nga ana e Presidentit serb Aleksandar Vuçic për votën pro në votimin e rezolutës anti ruse për Ukrainën, ka ardhur dhe reagimi i Kremlinit.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, ka bërë me dije se Kremlini pranon faljen e Vuçic dhe se reagimi i tij i shpejtë ishte pozitiv për ta.

“Sigurisht, ne pranuam. “Sigurisht që ndodhin gabime teknike dhe sigurisht, një reagim kaq i shpejtë i kreut të shtetit na bën përshtypje të madhe”, tha Peskov.

Ditën e djeshme, Serbia votoi në favor të një rezolute të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke riafirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial.

Rezoluta u përgatit nga Ukraina me aleatët e saj evropianë dhe u miratua me 93 vota pro, 18 kundër, përfshirë Rusinë dhe SHBA-në dhe 65 abstenime.

Pak pas votimit, Vuçiq konfirmoi se Serbia ka votuar pro rezolutës evropiane, ndërsa ka abstenuar nga votimi për rezolutën tjetër, atë amerikane.

Ai shtoi se të dyja duhet të votoheshin me përmbajtje.

"Nuk kam askënd për të fajësuar përveç vetes sepse nuk kam pasur kohë të merrem sa duhet”, ka thënë Vuçiq, duke theksuar se para së gjithash u kërkon falje qytetarëve të Serbisë.

“Unë nuk mendoj se duhet t’i bëjmë lajka asnjë fuqie, as rusëve, as amerikanëve dhe askujt”. “Mendoj se përmbajtja jonë duhet të ishte në interesin më të mirë të shtetit të Serbisë”, shtoi Vuçiq.

/rtsh.al/