RTSH 24 Live

Sociale

A duhet mbyllur TikTok? Avokati: "Rrjetet sociale janë kthyer në armë për fëmijët"

16 orë para

A duhet mbyllur TikTok? Avokati: "Rrjetet sociale janë kthyer në armë për fëmijët"

Kryeministri Edi Rama propozoi të mërkurën (20 nëntor) kufizimin deri në mbylljen e dy rrjeteve sociale, si TikTok dhe Snapchat, pasi po ndikojnë për keq te shëndeti mendor i të rinjve.

Qeveria tha se çdo vendim do të konsultohet publikisht me të gjithë aktorët e mundshëm. Shkak për nismën e befasishme u bë vrasja e një të riu 14-vjeçar pranë shkollës nga një tjetër nxënës.

Gjatë një bisede në emisionin "Jetë shqiptare", avokati Andi Shkira tha se ngjarja në kryeqytet ka pasur ndikim të shumanshëm.

"Është një tragjedi kombëtare, sepse këtu nuk është vrarë vetëm një 14-vjeçar. Këtu është vrarë edhe e ardhmja e 14-vjeçarit tjetër që kreu krimin. Janë vrarë edhe ëndrrat, që tani shoqërohen me makthe, të të gjithë atyre që ishin prezentë kur ndodhi ngjarja. Është vrarë një shoqëri e tërë, e cila sot mundohet të gjejë fajtorin, por fajtore është e gjithë shoqëria," u shpreh avokati.

Disa vende e kanë adresuar problemin e rrjeteve sociale përmes filtrimit dhe ndalimit tërësor në territorin e tyre.

Rrjetet sociale, shtoi z. Shkira, po promovojnë gjuhën e dhunshme dhe po sjellin pasojat më negative në shoqëri.

"Fëmija një pjesë të kohës është në familje, por ajo është qeliza më e vogël e shoqërisë. Pastaj është lagjja, qyteti, shteti ynë dhe pastaj hapësira globale e aksesueshme përmes rrjeteve sociale të pakontrolluara. Ky është një fenomen global. Është përgjegjësi e prindërve ta filtrojnë aktivitetin e fëmijëve të tyre, por është edhe përgjegjësi institucionale shtetërore, jo vetëm e shkollave, por e institucioneve që ndjekin me rigorozitet veprimtarinë e rrjeteve sociale.

Sot shantazhohen shumë kollaj jo vetëm fëmijët, por edhe adoleshentë, të rritur, deri edhe nivele të larta drejtuesish në institucione, për shkak të një bisede, një fotoje apo një videoje në rrjetet sociale.

Unë besoj që më shumë sport e mban fëmijën më larg telefonit dhe tabletit. Më shumë libra e mbajnë fëmijën më larg armëve të ftohta, cigareve apo drogave të lehta. Rrjetet sociale janë instrumente që në duart e fëmijëve kthehen në armë, pra në TikTok fëmijët dhe jo vetëm gjuhen me komente bullizuese, me gjuhë denigruese," tha avokat Shkira.

/rtsh.al/