Prodhuesit e ullirit në Mallakastër pritet të bashkohen në grupime fermerësh për të krijuar markën e tyre të vajit të ullirit. Zyrtarët vendorë thonë se janë disa fermerë që po interesohen për këtë lloj organizimi, por pengesë janë titujt e pronësisë dhe rrugët drejt parcelave.
“Ka ardhur koha ku shumë sipërmarrës duhet të organizohen për të realizuar një brand që të na identifikojë kudo që të jemi. Duhet të rishikojmë edhe rrugët e arave sepse një fermer mund të ketë shumë prodhim por nuk shkon dot i humbet produkti dhe i humbet mundi i të gjithë vitit”, u shpreh Specialist turizmi, Bashkia Mallakastër, kreshnik Heqimaj.
Krye bashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismaili, tha se problematikat që lidhen me infrastrukturën do të përfshihen në buxhetin e vitit që vjen duke qenë se rrugët rurale në Mallakastër janë tashmë të rehabilituara pothuajse tërësisht.
“Viti i ardhshëm do të jetë fokus me vëmendje të theksuar, buxhetin i bashkisë do të jetë për rrugët e tokave bujqësore duke përfshirë edhe lulishtet”, u shpreh Kryetar i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismaili.
Ulliri Mallakastriot kryeson në qarkun e Fierit për cilësinë dhe sasinë e vajit që prodhon. Në Mallakastër kultivohen afërsisht 1 milionë rrënjë ulliri. Pjesa më e madhe është ulli kaniniot variet që në këtë zonë, favorizohet nga kushtet klimaterike dhe cilësia e tokës.
/RTSH/