RTSH 24 Live

Sociale

Duhanpirja rrit rastet me sëmundje të mushkërive, Prof. Bala: Mos neglizhoni shenjat

15 orë para

Duhanpirja rrit rastet me sëmundje të mushkërive, Prof. Bala: Mos neglizhoni shenjat

Duhanpirja po shkatërron cilësinë e jetës së individëve që tymosin, duke e bërë organin e mushkërisë të vuajë nga pamjaftueshmëria e ajrit për shkak të anomalive bronkiale.

Për shkak të këtij faktori më së shumti, rreth 12 për qind e shqiptarëve vuajnë nga sëmundja obstruktive kronike e mushkërive.

Shqipëria radhitet me vendet e tjera të botës për sa i përket prevalencës së sëmundjes së SPOK-ut në popullatë. Kjo prevalencë varion nga 12-13% dhe kjo i kushtëzohet duhanpirjes, që është dhe shkaku kryesisht i SPOK-ut. Impakti i parë i duhanit në mushkëritë e individit është shumë e madhe nëse ai ka konsumuar duhan për vite të tëra apo shumë duhan gjatë ditës e të një cilësie jo të mirë,” thotë Prof. Silva Bala, presidente e Shoqatës së Pneumologjisë.

Kjo sëmundje ngushton rrugët ajrore dhe diagnostikohet shpejt përmes testit të spirometrisë. Nga disa matje të rastësishme në ditën botërore të SPOK-ut u zbuluan raste të reja.

Nga matjet e kryera sot në kalimtarë të rastit zbuluam raste të reja të prekura nga SPOK. Në 20 spirometri të kryera, 5 prej tyre dolën me anomali në mushkri dhe këta ishin duhanpirës kryesisht, por edhe persona që kanë punuar në miniera,” tregon pneumologia Eugerta Dilka.

Presidentja e shoqatës së pneumologjisë Prof. Silva Bala, njëherësh edhe drejtuese e spitalit universitar “Shefqet  Ndroqi”, apelon për vëmendje ndaj këtyre shenjave.

Unë e kam thënë gjithmonë, nëse një pacient ka kollë, e cila është shqetësuese, që vashdon për një kohë të gjatë, që herë pas herë riakutizohet dhe këto konsistojnë në një kollë më sputum me ngjyrë, atëherë individi nuk duhet të fajësojë më duhanin për këtë gjë por diçka tjetër më e madhe po ndodh me mushkërinë e tij. Për këtë duhet t’i drejtohet menjëherë mjekut,” shton Prof. Bala.

Nëse SPOK-u kapet në kohë është plotësisht i trajtueshëm, në të kundert ka pasoja fatale. Ka impakt të madh në kosto si sëmundje kronike për shkak se sëmundja riakutizohet dhe trajtimi është i konsiderueshëm në buxhet.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/