RTSH 24 Live

Kulturë

89-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, vizitorët në shtëpinë e gjeniut të letrave

28/01/2025

89-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, vizitorët në shtëpinë e gjeniut të letrave

Kjo është një familje nga Koreja e Jugut, që sot ka ardhur të shohë nga afër shtëpinë e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, pasi morën informacion në bibliotekën e qytetit.

"Vizituam bibliotekën disa ditë më parë dhe aty dëgjuam edhe për shkrimtarin Kadare. Mësuam se ai ka fituar edhe një çmim në Korenë e Jugut në vitin 2019. Lexuam pak librin 'Kronikë në gur' dhe vendosëm ta shohim nga afër shtëpinë e tij, meqë sot ai ka edhe ditëlindjen," thotë një vizitore e re nga Koreja.

"Muzeu 'Kadare' është një muze ndryshe. Këtu vijnë ata që e njohin shkrimtarin, kanë lexuar të paktën një vepër të tij dhe duan të shohin nga afër ambientet e shtëpisë. Një nga veprat e lexuara më tepër nga ata është 'Kronikë në gur'. Në qoftë se në 2019 kemi pasur rreth 3.500 vizitorë, në vitin që lamë pas ka pasur diku te 8.500 vizitorë," tregon ciceroni Bruno Pjetri.

Shtëpia shkrimtarit të letrave shqipe Ismail Kadare i hapi dyert si sot 9 vite më parë. 

Në një stendë të veçantë të muzeut qëndron edhe libri i përshtypjeve, ku çdokush mund të lërë gjurmë.

Sot në ditën që përkon me 89-vjetorin e lindjes se shkrimtarit, shtëpia u vizitua edhe nga nxënës të shkollave, të cilët përcollën copëza nga krijimtaria e Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/