Tetë persona kanë rënë në prangat e policisë këtë të mërkurë në Tiranë, 2 janë shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, të akuzuar për ngritjen e një skeme për shitjen e varreve në Tufinë. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se mes të arrestuarve është edhe Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, E. N., 32 vjeç si dhe tre punonjës të Sektorit të Varrezave Tufinë, Xh. M., 61 vjeç, L. Sh., 63 vjeç, L. Sh., 63 vjeç, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Janë arrestuar edhe B. L., 66 vjeç, A. A., 28 vjeç, E. M., 37 vjeç dhe F. Gj., 24 vjeç, për veprën penale "Ndërtimi i paligjshëm.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit R. N., 44 vjeçe dhe J. Ç., 31 vjeç, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Sh. N. dhe F. Gj.
Nga hetimet dyshohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit nga 30.000 deri 50.000 lekë, kanë siguruar vendvarrime për shtetas të ndryshëm, në varrezat e Tufinës.
Gjithashtu, nga këqyrja e aparateve celulare të tyre dyshohet se nëpërmjet korrupsionit, mundësonin nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit, nga institucionet përgjegjëse, për banesat e dëmtuara nga tërmeti, kundrejt pagesës 200.000 lekë të rinj; nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK-së; përfitimin e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19, kundrejt pagesës 30.000 lekë të rinj, si dhe përfitimin e kredisë të butë pranë bashkisë Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/