RTSH 24 Live

Aktualitet

"Vrasje e kryer nga pakujdesia", AMP: Tase shkeli rregullat e qarkullimit ujor, në hetim 5 punonjës policie

03/08/2022

"Vrasje e kryer nga pakujdesia", AMP: Tase shkeli rregullat e qarkullimit ujor, në hetim 5 punonjës policie

Arjan Tase, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan është arrestuar për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia”.

Në një njoftim të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) thuhet se oficeri i policisë Arjan Tase në vendin e quajtur plazhi i Potamit, theu rregullat e qarkullimit ujor pasi ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore e cila ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Më pas ai ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur i cili 15 metra larg bregut ka goditur me pjesën e prapme të mjetit, 7 vjeçaren duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Në hetim për zbardhejn e ngjarjes janë vënë edhe 5 zyrtarë të policisë.

Grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.

Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A.T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.

Nga veprimet proceduriale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:

- Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;

- Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;

- Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisarjatit të Policisë Himarë;

- Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;

- Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.

Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i

AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë, të sipërpërmendur.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.", thuhet në njoftimin e AMP.

/rtsh.al/