RTSH 24 Live

Ekonomi

“Rruga e Bregut”- ARRSH çel tenderin për projektin e bajpasit të Sarandës

26/08/2024

“Rruga e Bregut”- ARRSH çel tenderin për projektin e bajpasit të Sarandës

Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli procedurën e prokurimit publik për projektin e bajpasit të Sarandës që lidh Qafë Gjashtën me rrugën nacionale Sarandë – Himarë.

Ky segment rrugor synon të lehtësojë lëvizjen e trafikut të rënduar në zonën e qytetit të Sarandës, krijon një infrastrukturë komode për lëvizjen e automjeteve në këtë zonë turistike, si dhe një infrastrukturë bashkëkohore për lëvizjen dhe sigurinë e këmbësorëve.

Ndërhyrja e parashikuar përfshin segmentin rrugor që duhet të fillojë në hyrjen aktuale të qytetit të Sarandës, pranë rreth-rrotullimit të Qafë Gjashtës dhe duhet të përfundojë në lidhje me rrugën nacionale Sarandë – Himarë.

Pikat skajore të projektit duhet të përcaktohen në koordinim me projektin “Rruga e Bregut”, mundësinë e lidhjes me rrugën Kardhiq – Delvinë – Sarandë, në bashkëpunim me bashkinë Sarandë dhe me ARRSH-në.

Ky segment parashikohet të ketë një gjatësi totale prej afërsisht 3.5 km, duke përfshirë segmente rrugore me karakteristika urbane ose interurbane, tunel me gjatësi afërsisht 800~900 ml, si dhe projektimin e nyjeve përgjatë këtij aksi rrugor.

Segmenti rrugor duhet të jetë i kategorisë C2, ku në zonat urbane të projektohen elementët urban, në varësi të nevojës dhe të kushteve fizike dhe juridike të pronave që preken nga gjurma e projektit.

Gjerësitë e rrugës do të realizohen sipas standardeve në fuqi në mënyrë që të plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme për qarkullim dhe aksesim komod.