RTSH 24 Live

Aktualitet

"Onkologjiku"- Koçiu njofton masat e reja: Kush njollos bluzën e bardhë, largohet përjetë

01/07/2024

"Onkologjiku"- Koçiu njofton masat e reja: Kush njollos bluzën e bardhë, largohet përjetë

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu kërkoi zero tolerancë dhe marrjen e dënimeve të merituara për mjekët e Onkologjikut të cilët nuk u jenin shërbim në spitalin publik pacientëve të sëmurë me tumor, por i orientonin drejt privatit.

Koçiu u shpreh se çuarja e tyre para drejtësisë shkuli një tumor korrupsioni. Ministra e Shëndetësisë ka marrë masa që në këtë institucion qendror të shërbimit shëndetësor të mos ketë hapësirë për praktika abuzive.

Koçiu bëri me dije para drejtuesve të shërbimeve në QSUT se hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do vazhdojë deri në momentin që spitali përkatës do të përfundoj procesin e autonomisë. Me marrjen e autonomisë, theksoi Koçiu, do jetë rreptësisht e ndaluar.

Po ashtu, ministrja nënvizoi se do ndalohet ligjërisht që mjekët të ndjekin të njëjtin pacient në klinikat private që kanë hapur vetë apo që punojnë aty.

“Çuarja përpara e drejtësisë e individëve, shkuli një tumor korrupsioni dhe harbutllëku ekstrem nga onkologjiku, ne MSH duhet të marrim masa konkrete dhe të reagojmë menjëherë ë në këtë institucion qendror të shërbimit shëndetësor për të mos patur hapësirë për njerëz e praktika abuzive.

Gjatë këtyre ditëve kemi punuar intensivisht për disa ndërhyrje të shpejta në ligjin për urdhrin e mjekut i cili rregullon veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë dhe përcakton parime të qartë për bluzat e bardha.

Hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do vazhdojë deri në momentin që spitali përkatës do të përfundoj procesin e autonomisë. Me marrjen e autonomisë do jetë rreptësisht e ndaluar.

Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, duet të marrin një autorizim nga drejtuesi i spitalit, duhet të konfirmohet nga MSH dhe do publikohet në  regjistrin publik digjital për këtë qëllim.

Do ndalohet ligjërisht që mjekët të ndjekin të njëjtin pacient në klinikat private që kanë hapur vetë apo që punojnë  aty.

Një mjek që ndjek pacientët në klinikën shtetërore, është në konflikt të hapur interesi nëse kërkojnë që pacienti të vijë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty”, u shpreh Ministrja.

Ministrja bëri të qartë se mjekët që do të njollosin institucionin, do u ndalohet bluza e bardhë gjatë gjithë jetës.

“Individët që njollosin institucionin do të ndalohet të veshin bluzën bardhë gjatë gjithë jetës. Nuk thashë disa nga afatet për masat e shkelura, sepse janë ende në diskutim edhe për disa ditë. Kjo ngjarje e rëndë do përbëjë një mësim të paçmuar për të punuar për shëndetësinë europine 2030”, tha ajo.

Kjo e fundit bëri me dije edhe masa të tjera se mjekët që kanë hapur ose punojnë në klinika private nuk do të mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo edhe në Universitetin e Mjekësisë.

Kjo shumicë qeverisëse vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila kërkon disa vite dhe në kushtet skandaloze të shëndetësisë dhe spitaleve të para 10 vjetësh.

Kemi në Fier memorialin, spitalin e parë autonom. Së shpejti QSUT dhe 12 spitale të tjera do marrin autonominë e plotë.

Masa për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik dhe mjeku e pacienti nga spitali privat do merren menjëherë.

Po menjëherë, mjekët që kanë hapur dhe ose punojnë në klinika private nuk do mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo Universitetin e Mjekësisë”, përfundoi ministrja në takimin me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Kryeministrin Edi Rama.

Takimi vjen pas skandalit në Spitalin e Onkologjikut të zbuluar nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari.

Prokuroria zbuloi se pacientëve të sëmurë me tumor disa prej mjekëve nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi.

Ndaj këtij të fundit Gjykata e Tiranës  vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për mjeken Alketa Ymeri (Pere) masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, për Emiljano Lela - Koordinator pranë Spitalit Onkologjik masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, për Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshe në QSUNT, masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, për Drilona Kishta, masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.

/rtsh.al/