Presidentja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen ka deklaruar se Europa ka për detyrë të nderojë kujtimet e viktimave të Holokaustit nazist.
Duke folur në prag të 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit, Ursula von der Leyen tha se Europa s’do t’i harrojë 6 milionë hebrenjtë e vrarë me gjakftohtësi.
“Nesër bëhen 80 vjet nga çlirimi i kampit nazist të përqendrimit dhe shfarosjes të Aushvic-Birkenau. Nuk do t'i harrojmë kurrë 6 milionë hebrenjtë e vrarë me gjakftohtësi dhe të gjitha viktimat e Holokaustit. Ndërsa të mbijetuarit e fundit zbehen, është detyra jonë si evropianë të kujtojmë krimet e patregueshme dhe të nderojmë kujtimet e viktimave”, shprehet Ursula von der Leyen.
Në Poloni, ish-të burgosurit pritet të vendosin lule në Murin e Vdekjes të kampit nazist të vdekjes të hënën në mëngjes, në një ceremoni ku mori pjesë edhe presidenti polak Andrzej Duda. Presidenti gjerman Frank-ëalter Steinmeier dhe kancelari Olaf Scholz, së bashku me ministrin e Arsimit të Izraelit, Yoav Kisch të vendosin kurora me lule gjithashtu.
Ndërkaq, më herët Papa Françesku deklaroi se tmerri i Holokaustit nuk mund të “harrohet apo mohohet”. Duke folur në prag të 80-vjetorit të çlirimit të kampeve të përqendrimit ‘Auschëitz-Birkenau’, ai i ka bërë thirrje të gjithë botës që të ‘punojë së bashku për të eliminuar plagën e antisemitizmit, si dhe të gjitha format e diskriminimit dhe persekutimit fetar’.
Auschëitz-Birkenau është bërë simboli i vrasjes së gjashtë milionë hebrenjve evropianë nga Gjermania naziste, një milion prej të cilëve vdiqën në vend midis viteve 1940 dhe 1945, si dhe më shumë se 100,000 jo hebrenj.
Ditën e hënë pritet të mbahet një ceremoni zyrtare që do të ndiqet nga rreth 50 të mbijetuar dhe 54 delegacione ndërkombëtare do të shënojë 80-vjetorin e çlirimit të kampit nga trupat sovjetike.
/rtsh.al/