RTSH 24 Live

Botë

Hungaria i vë kushte BE-së, pranon të zgjasë sanksionet kundër Rusisë

27/01/2025

Hungaria i vë kushte BE-së, pranon të zgjasë sanksionet kundër Rusisë

Hungaria ka rënë dakord që të zgjasë sanksionet kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj të tjerë në këmbim të qëndrimit të Bashkimit Evropian që adreson shqetësimet e Budapestit për “sigurinë energjetike”.

Sipas diplomatëve evropianë, kryeministri hungarez Viktor Orbán e ka mbajtur ‘peng’ Bashkimin Evropian duke kërcënuar se do të bllokonte zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë, përfshirë ngrirjen e aseteve të saj financiare.

Një diplomat i BE-së tha se duke bllokuar sanksionet, Hungaria “po luante me zjarrin” dhe po vendoste “një bombë në marrëdhëniet transatlantike”, raporton Politico.

Ndërkohë, dy diplomatë evropianë shpjeguan se një marrëveshje e minutës së fundit ishte arritur për të shmangur kërcënimin e Hungarisë për të ndërprerë zgjatjen e sanksioneve.

Budapesti pritet të tërhiqet në këmbim të një deklarate që adreson shqetësimet e Hungarisë për “sigurinë e energjisë”.

Hungaria është e gatshme të tërheqë kundërshtimin e saj ndaj zgjatjes së sanksioneve. Sipas një prej burimeve, BE-ja do të japë disa garanci në një deklaratë për sigurinë e energjisë.

Deklarata do të riafirmojë angazhimin për të ndihmuar Ukrainën të rimëkëmbet dhe të stabilizojë infrastrukturën e saj dhe të adresojë çështjen e furnizimeve me gaz dhe naftë.

Paralelisht, BE po punon tashmë për paketën e ardhshme të sanksioneve, por zyrtarët tashmë po përgatiten për rezistencën e Budapestit. BE shpreson të miratojë këto masa muajin e ardhshëm.

Shefja e diplomacisë së BE-së Kaja Kallas tha më herët se ajo pret që vendet anëtare të BE të bien dakord për të zgjatur sanksionet kundër Rusisë.

/rtsh.al/