Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko do e vijojë sundimin e tij 31-vjeçar, pasi të hënën zyrtarët zgjedhorë e shpallën sërish fitues të zgjedhjeve presidenciale, që qeveritë perëndimore i kanë kritikuar.
Lukashenko përballi katër kandidatë të tjerë, ndërsa nga rezultatet fillestare arriti të marrë 86,8 për qind të votave.
Sipas politikanëve evropianë, votimi nuk ishte as i lirë dhe as i drejtë, sepse mediet e pavarura janë penguar dhe të gjitha figurat kryesore të opozitës ose janë burgosur, ose janë detyruar të ikin jashtë vendit.
"Populli i Bjellorusisë nuk kishte zgjidhje tjetër. Është një ditë e hidhur për të gjithë ata që dëshirojnë lirinë dhe demokracinë," reagoi ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock (lex. Baerbok) në rrjetin "X".
Udhëheqësja e opozitës, e cila ndodhet në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, bëri thirrje për zgjerimin të sanksioneve perëndimore kundër kompanive dhe individëve bjellorusë të përfshirë në represionin ndaj kundërshtarëve të Lukashenkos dhe për furnizimin me municione të palës ruse në luftën e saj me Ukrainën.
"Për sa kohë që Bjellorusia është nën kontrollin e Lukashenkos dhe [Vladimir] Putinit, i gjithë rajoni do të jetë nën kërcënim të vazhdueshëm për paqen dhe sigurinë," tha ajo.
Shefja e punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, thanë në një deklaratë se blloku do të vazhdojë të vendosë "masa kufizuese dhe specifike kundër regjimit", duke mbështetur shoqërinë civile dhe opozitën në mërgim.
I pyetur për burgosjen e kundërshtarëve të tij, Lukashenkoja tha të dielën se ata "zgjodhën" fatin e tyre. Ai e mohoi faktin se vendimi për lirimin e më shumë se 250 personave të dënuar për veprimtari "ekstremiste" ishte mesazh për Perëndimin që të lehtësonte izolimin e tij.
"Mua nuk më pëlcet fare për Perëndimi," tha ai në një konferencë shtypi që zgjati më shumë se katër orë. "Ne kurrë nuk i kemi refuzuar marrëdhëniet me Perëndimin. Ne kemi qenë gjithmonë gati. Por ju nuk e dëshironi këtë. Pra, çfarë duhet të bëjmë, të përkulemi para jush apo të zvarritemi në gjunjë?"
Grupi për të drejtat e njeriut, Viasna, që është i ndaluar si organizatë "ekstremiste" në Bjellorusi, thotë se në vend ka ende rreth 1.250 të burgosur politikë. /Reuters
/rtsh.al/