Një mision shumëkombësh me mandat të OKB-së, i përbërë jo vetëm nga ushtarë evropianë, por edhe nga vende të tjera, duke përfshirë të ashtuquajturin Jug Global, mund të angazhohet në monitorimin e armëpushimit në Ukrainë.
Kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Robert Brieger shpjegoi se “një mision i mandatuar nga OKB-ja është i mundur, i cili do të përfshijë jo vetëm evropianë, por edhe ushtarë nga Jugu Global ose, për shembull, Kaukazi. Ushtarët e BE-së padyshim do të ishin në gjendje të japin një kontribut të rëndësishëm”.
Gjithashtu, ai beson se shtetet anëtare të BE-së në varësi të vendimeve politike, mund të dërgojnë forca të rëndësishme për të monitoruar armëpushimin.
Megjithatë, monitorimi i zonës së çmilitarizuar përgjatë vijës së frontit sigurisht që do të kërkojë një prani ushtarake “në gamë të lartë pesëshifrore”.
Sa i përket nëse forca duhet të jetë e armatosur, Brieger beson se është në dorën e politikanëve të vendosin për këtë çështje.
Brieger shtoi se nëse ka nevojë për të parandaluar rindezjen e konfliktit dhe për të siguruar që armëpushimi të jetë efektiv, duhet të krijohet një mision ekzekutiv dhe ushtarëve duhet t'u jepet një mandat i fortë.
“Kjo do të thotë se ata gjithashtu do të kenë të drejtë të zbatojnë armëpushimin me përdorimin e armëve dhe mbështetjes ajrore. Për momentin, e gjithë kjo tingëllon shumë teorike, por një skenar i tillë mund të vihet në jetë”, tha gjenerali.
Shefi i Komitetit Ushtarak të BE-së iu referua planit të Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë duke "ngrirë" vijën e frontit si "të pamundur".
“Një zgjidhje e tillë nuk ka gjasa. E thënë thjesht, do të sillte avantazhin e ndalimit të vdekjeve. Megjithatë, disavantazhi do të ishte se konflikti do të vazhdonte dhe, në rastin më të keq, do të zgjaste për dekada; për shembull, si midis Koresë së Veriut dhe Jugut”, vuri në dukje Brieger.
Ai kujtoi deklaratën e ish-shefit të Shtabit të Përbashkët të SHBA, Mark Milley, i cili tha në vitin 2023 se Ukraina nuk mund ta fitojë plotësisht luftën me aftësitë që ka.
Rifitimi i territoreve nga Rusia do të kërkonte një forcë shumë më të madhe se sa ka në dispozicion Ukraina.
Sipas Briegerit, tani është e rëndësishme që Ukraina të arrijë pozicionin më të fortë të mundshëm negociues përpara bisedimeve të mundshme për armëpushim
Siç u raportua më herët, Presidenti i SHBA njoftoi planet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë duke sjellë Kievin dhe Moskën në tryezën e bisedimeve, ndërsa planifikon të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin.
/rtsh.al/