“North Alpine Villas” është sipërmarrja më e re e turizmit malor që sapo ka hapur dyert në Bogë të Malësisë së Madhe, për të mikpritur turistët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau të martën përmes rrjeteve sociale pamje të strukturave hoteliere, të cilat ofrojnë gjithë komoditetin e nevojshëm për turistët që zgjedhin Bogën.
Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.
Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.
Boga ndodhet 149 kilometra nga Tirana dhe për të apasionuarit e malit konsiderohet pikënisje e aventurës mes Alpeve Shqiptare, të cilat fshehin në gjirin e tyre shtigje magjike, që mbeten për t’u zbuluar nga turistët.
Duke qenë se në afërsi të kësaj zone ndodhen edhe pika të tjera turistike, siç janë ato të Razmës dhe Thethit, ndërthurja e këtij destinacioni me zonat përreth në paketat turistike, përbën një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit.