Të dhëna historike, dokumente dhe rrefime mbi kontributin e elites shqiptare që formësimin e ka në Stamboll e që kontriboi në shtetndërtimin shqiptar kur shpallej pavarësia promovohen në një libër. “Një jetë për Shqiperine”, i shkruar nga Genc Drini dhe Ardian Muhaj e botuar nga instituti i studimeve Luno Skendo, i është kushtuar intelektualit dhe atdhetarit Riza Drini.
Libri përmban monografinë historike dhe shkencore, gjithashtu është i pajisur me dokumenta historike dhe rrëfime.
Riza Drini, politikan i lartë, lindi në qytetin e Strugës, më 30 dhjetor të vitit 1895. Kreu Shkollën Normale në Elbasan dhe studimet e larta ushtarake në Stamboll. Pas kryerjes së studimeve, e braktisi karrierën ushtarake dhe nisi veprimtarinë politike. Ai mori pjesë në ngjarjet e qershorit 1924.
Më 26 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor se “ka qenë iniciator dhe organizator i Komitetit për Shpëtimin e Shqipnisë Etnike, i organizatës së Ballit Kombëtar”, dhe e dënoi me 15 vjet burg. Me ulje dënimi në pesë vjet, u lirua në dhjetor 1949.
Pas ngjarjeve në Hungari, u internua për periudhën 1956-1958. I lënë pa punë, si njohës i gjashtë gjuhëve të huaja, kërkoi të merret me përkthime historike, por iu mohua edhe e drejta e përkthimit. Riza Drini vdiq në Shkodër, më 25 maj të vitit 1966.
/rtsh/