Gjuha shqipe siç ajo përdoret në Shqipëri duhet të bëhet model orientues edhe për shqiptarët jashtë dhe të ndreqet nga shtrembërimet gjuhësore, u shpreh të enjten (21 nëntor) gjuhëtari dhe akademiku Emil Lafe.
Ai mbajti fjalën hapëse në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe me temë kryesore "Sfidat e gjuhës shqipe në shekullin XXI".
"Duhet të kemi guximin për të ndrequr shtrembërimet gjuhësore edhe kur jemi mësuar gjatë me to. Rrethi i çështjeve të tilla që kanë nevojë të zgjidhen është mjaft i gjerë. Këto çështje mund të gjejnë zgjidhje të drejtë vetëm nga një organizëm me fuqi vendimmarrëse urdhëruese, ku të ballafaqohen arsyeja gjuhësore dhe arsyeja shtetërore dhe të merret një vendim i arsyetuar. Një gjuhë si shqipja ka gjithnjë nevojë të mbarështohet, të pastrohet nga shpendrat, hithrat dhe ferrat që ia zënë dritën e zhvillimit harmonik.
Republika e Shqipërisë, e quajtur edhe shteti amë për shqiptarët jashtë saj, ka pa dyshim përgjegjësinë për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në gjithë hapësirën ku ajo është gjuhë amtare shqiptare. Në të gjitha fushat e përdorimit, gjuha shqipe e këtushme duhet të jetë shembull orientues," tha akademiku Lafe.
Z. Lafe ka qenë bashkautor i gramatikës së gjuhës shqipe dhe jeton mes nesh si një ndër gjuhëtarët e paktë që organizuan edhe Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972.
Tashmë, sipas tij, duhet të ngrihet një tjetër organizëm për të trajtuar sfidat moderne me të cilat vazhdon të përballet gjuha.
"Një gjuhë e zhvilluar dhe e përkujdesur është elementi themelor i kulturës që përfaqëson dhe bashkon një komb modern. Çështja e parë që pret të vendoset në këtë mes është mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe në përdorimin publik siç e parashikon dhe neni 59 i Kushtetutës. Në pajtim me këtë detyrë del e nevojshme të krijohet një organizëm i posaçëm që mund të quhet Komisioni Shtetëror për Kujdesin ndaj Gjuhës Shqipe. Ky komision i përbërë prej zyrtarësh të lartë dhe gjuhëtarësh me përvojë do të kujdesej në radhë të parë për të forcuar atë që mund të quhet disiplina gjuhësore e shtetit. Dihet se disiplina është tipar themelor i shtetit, por shteti shqiptar nuk ka arritur ende të ngulitë një disiplinë të tillë për gjuhën. Megjithatë që nga vendimi i qeverisë së Vlorës për caktimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare kemi një traditë të kujdesit për gjuhën, të cilën duhet ta gjallërojmë dhe ta pasurojmë.
Nuk e kam fjalën vetëm për të mënjanuar përfundimisht të metat gjuhësore që vërehen në prodhimin shkresor të administratës, jo rrallë dhe për cungimin e alfabetit u vendos 160 vjet më parë dhe që u përkujtojmë sot me miradije të thellë ndaj atyre që u mblodhën në Kongresin e Manastirit," shtoi z. Lafe.
Gjuhëtari solli edhe shembuj konkretë si mungesa e rregullave të kodifikuara po pasqyrohet në gabime drejtshkrimore në nivelin e administratës dhe politikës.
"Shtetit tonë, për shembull, i mungon një regjistër i kodifikuar i emërtimeve të qendrave të banuara dhe i emërtimeve gjeografike në përgjithësi. Në ligjet për ndarjet administrative-territoriale emërtimet e qendrave të banuara janë shkruar plot me gabime. Sa për të sjellë një shembull, po përmend se emri i fshatit të Kukësit në kufirin me Kosovën është Morin, Morini, por në tabelat e Rrugës së kombit shkruhet Morinë, sepse kështu është te ligji i ndarjes administrative. Ndërkaq Morina dhe Qafa e Morinës janë në rrethin e Tropojës.
Probleme gjuhësore vërehen edhe në emërtime politike shumë të rëndësishme. Shqipëria ka një Këshill të Sigurimit Kombëtar, të quajtur kështu në Kushtetutë për analogji me Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por në dokumentet e ndryshme zyrtare të vendit përdoret emërtimi Siguri Kombëtare. A mos është më drejt të themi Këshilli i Sigurisë në të gjitha rastet?"
Kongresi i sivjetëm për Gjuhën Shqipe mbahet në datat 1 dhe 2 nëntor. Akademiku Lafe tha se ai shpreson që aktiviteti të jetë ogur i mirë për ngjarjet e ardhshme politike, si në të shkuarën.
"Kuvendet gjuhësore u kanë prirë ngjarjeve shoqërore dhe politike. Kështu ka ndodhur me shoqërinë e të shtypurit shkronjat shqip dhe Lidhjen e Prizrenit, tek e cila i ka rrënjët Shqipëria e lirë dhe e mosvarme. Katër vjet pas Kongresit të Manastirit me alfabetin e vendosur atje u nënshkrua Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë. Uroj edhe ky Kuvend të jetë ogur i mirë që muri burokratik që na ndan nga Bashkimi Europian do të bjerë brenda këtij 10-vjeçari. Mua dhe moshatarëve të mi për këtë rast na sillen nëpërmend urimin naimian 'lum kush të rronjë'," tha z. Lafe.
/rtsh.al/