Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe UET Press promovuan librin “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”. Libri vjen për lexuesin në kujdesin e profesoreshë Nevila Nika, drejtuese e Akademisë së Studimeve Shqiptare dhe historianëve Florian Çullhaj, Marenglen Kasmi, Çelo Hoxha dhe Hasan Bello.
Ky botim i historianëve, në 80-vjetorin e Çlirimit të atdheut nga forcat nazi-fashiste, hedh dritë mbi fakte të qëmtuara deri në thellësi, për t’u lënë gjeneratave të ardhshme një dokument që flet mbi luftën e popullit shqiptar ndaj pushtuesve.
Në aktivitetin e organizuar në COD, në kryeministri, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama i cili përshëndeti aktivitetin, duke kujtuar se fakte të tilla dhe kërkimet historike i japin historisë një përmasë përtej atyre fakteve që kemi trashëguar nga një tjetër regjim.
Libri eksploron historinë e kohës së luftës në Shqipëri përmes një perspektive më të gjerë, duke ndërlidhur të gjitha të dhënat e disponueshme.
Shkalla e humbjeve njerëzore numëron 29,179 individë të rënë, viktima të luftës në role të ndryshme, që tregojnë koston e thellë njerëzore të luftës.
Partizanë, ballistë dhe legalistë të rënë në luftë janë rreth 7200, ndërkohë që 2222 shqiptarë janë vrarë nga forcat komuniste sipas studiuesve në fjalë që e cilësojnë periudhen si lufta civile në vend.
Botimi i historianëve flet gjithashtu për 5500 viktima civile si dhe rreth 17 mijë ushtarë të huaj, italianë (14.500) dhe gjermanë (2400) që humbën jetën në luftë.
Në Shqipëri vazhdimisht është folur për 28 mijë dëshmorë gjatë luftës së dytë botërore. Por të dhënat që sjell libri i fundit pritet të ngjallin komente dhe debate.
/ rtsh.al /