RTSH 24 Live

Aktualitet

“Metën e takova para një ore", avokati Gjokutaj: Është në gjendje të mirë shëndetësore

6 orë para

“Metën e takova para një ore", avokati Gjokutaj: Është në gjendje të mirë shëndetësore

Avokati i ish- presidentit Ilir Meta, Genci Gjokutaj ka njoftuar se gjendja shëndetësore e Metës, pas arrestimit është e mirë.

Për emisionin “Jetë Shqiptare”, Gjokutaj tha se me ish-presidentin u takua një orë më parë dhe se sjellja e tij është mese korrekte.

“Që në momentin e arrestimit deri më sot ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Për herë të fundit e kam takuar para 1 ore. Nuk habitet nga kjo situatë, nuk ka asnjë lloj problemi as me personelin e burgut as probleme mjekësore të evidentuara, ai nuk merr mjekim. Sjellja e tij është mëse korrekte", tha Gjokutaj.

Akokati hodhi poshtë shkrimet në media se Meta ka kërkuar palestër në ambjente të burgut ndërsa sa i përket konsumimit të ushqimit nga jashtë, ai thotë se është një rutinë mëse normale për të gjithë të burgosurit.

“Nuk ka kërkuar palestër. Këto janë pjesë e fushatës së denigrimit që duan të bëjnë disa portale. Vajtja e ushqimit nga jashtë është një rutinë që bëhet për të gjithë të burgosurit në përgjithësi. Siç dihet, ushqimi i burgut është jo cilësor dhe kur ekziston mundësia të konsumosh ushqim nga jashtë, pse jo”, tha avokati.

Ilir Meta u arrestua mesditën e 21 tetorit, me urdhër të Prokurisë së Posaçme. Hetimi mbi të është bazuar në tri dyshime, të cilat i konfirmoi dhe avokati mbrojtës Genc Gjokutaj: korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim i pasurisë.

/rtsh.al/