Për herë të parë, Shqipëria vitin e ardhshëm do të jetë vendi nga do të nisë gara e famshme çiklistike "Giro d’Italia".
Në konferencën e së hënës përkrah organizatorëve të eventit, kompania RCS Sport, kryeministri Edi Rama tha se eventi do të sjellë vëmendjen shumë të dëshiruar te zhvillimi më tej i hovit turistik në vend.
"Jam shumë i kënaqur të them që kemi marrë nga RCS Sport konfirmimin që Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025. E di që zgjedhjet janë shumë e shumë vende konkurrojnë për të mirëpritur nisjen e garës, që është një traditë e re, prandaj jam edhe më i lumtur që kemi mundur shumë të tjetër që janë më të mëdhenj e sigurisht më të pasur. Gjithashtu për t'ju treguar vendin tonë të mrekullueshëm 800 milionë spektatorëve në 200 stacione televizive në mbarë botën, të cilat e transmetojnë drejtpërdrejt Giro d'Italia.
Shqipëria ka bërë hapin e madh në Ligën e Kampionëve të turizmit dhe duam të qëndrojmë aty. E dimë mjaft mirë se në këtë Ligë ka një konkurrencë të pabesueshme, sepse konkurrojmë me vende të cilat janë të hapura prej shekujt, kurse ne kemi vetëm 30 vjet e pak më tepër që jemi hapur.
E kam thënë gjithmonë që Shqipëria është një Itali e vogël, ndërkohë tani me këtë nisje jemi vërtet një Itali në anën tjetër të detit, e cila mirëpret një ngjarje që nuk është vetëm sportive, por popullore ku përfshihen të gjithë. Për ne është hera e parë fare, shpresoj jo e fundit. Nuk do të kërkojmë që të bëjmë edhe nisjen e madhe në 2026," u shpreh kryeministri.
Me humor, kreu i qeverisë tha se ai ishte edhe personi i duhur për të bërë shpalljen për nisjen e madhe.
"Jam shqiptari më i përshtatshëm për të prezantuar këtë ngjarje të madhe, sepse i vetmi mjet që di t'i jap është biçikleta. Nuk bëj shaka. Nuk di t'i jap makinës, nuk di të pilotoj avionin, di vetëm t'i jap biçikletës," tha z. Rama.
Etapat e "Giro d'Italia" pritet të prezantohen më 13 janar.
Aktiviteti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me strukturat shqiptare të pushtetit qendror e lokal.
Tri turet fillestare do të nisin më 9 maj 2025 nga bashkia e Durrësit (gjatësia e turit 164 km), më tej në Tiranë (10 maj, gjatësia e turit 13,7 km) dhe në Vlorë (11 maj, gjatësia e turit 160 km).
"Ne do të qëndrojmë në Shqipëri për 1 javë. Kemi 3 etapa, por i gjithë karvani i çiklistëve do të jetë këtu, sepse ne lëvizim tre mijë persona. Do të kemi shumë njerëz, shumë mundësi. Unë shpresoj vetëm te dielli dhe te gëzimi i shqiptarëve, sepse shpresoj që do të dalin në rrugë dhe do të bëjnë tifozllëk. Janë tre etapa shumë të bukura, të spikatura edhe nga pikëpamja turistike. Do të jetë një festë e madhe për të gjithë," deklaroi Paolo Bellino, drejtuesi ekzekutiv i RCS Sport.
/rtsh.al/