RTSH 24 Live

Sociale

"Eprorin nuk e dallon funksioni, por marrëdhënia me njeriun", Edlira Birko në "Aromë Gruaje"

02/03/2025

"Eprorin nuk e dallon funksioni, por marrëdhënia me njeriun", Edlira Birko në "Aromë Gruaje"

Një bisedë përtej të zakonshmes në Aromë Gruaje nga Ina Kollçaku, ishim në këtë të shtunë me pedagogen, moderatoren, nënën, gruan, e cila nuk u tut përballë sfidave, që jeta i solli, porse vijoi të bënte atë ç’ka besonte e dinte të bënte më mirë, të ishte vetvetja, pa dorashka, e fortë dhe ngulmuese, Edlira Birko.


Ndër të tjera në përgjigje të pyetjeve, ajo vlerësoi profesionistët, dhe vuri theksin se ata janë asete që i japin vlerë institucionit. Edlira Birko: Unë mendoj që institucioni përbëhet nga profesionistët, dhe në momentin që ne i promovojmë profesionistët e institucionit, automatikisht kemi rritur vlerën e këtij institucionit. Në qoftë se ne nuk e rrisim vlerën e institucionit në këto lloj mënyre do të thotë që nesër institucioni do të humbasë autoritetin dhe çdo profesionist që del nesër për të bërë punën e vet të tjerët do ta kenë shumë të lehtë ta godasin me gurë. Në fakt është shumë e vështirë të godasësh me gurë një institucion me vlera siç është RadioTelevizioni Shqiptar ku ne jemi ende shumë të vegjël përballë atyre realisht të mëdhenjve që vunë themelet e këtij institucioni.


Drejtuesit i ndan raporti që ata krijojnë me njerëzit, Edlira Birko vlerëson lidershipin aktual të RTSH duke u shprehur: "Ne shpesh fillojmë të vlerësojmë titullarët e institucioneve nga punët që ata bëjnë. Në fakt, kur më është dashur të studioj, kam kuptuar që në të gjitha epokat qoftë ato diktatoriale, gjatë Luftës së Dytë Botërore, madje edhe në sisteme të tjera, ndërtime dhe punë janë bërë gjithmonë. Ajo që e veçon një sistem nga një tjetër është marrëdhënia e tij me njeriun. Dhe unë kam menduar që një drejtues nga një tjetër, për të kuptuar që ne po shkojmë drejt zhvillimit, i ndan pikërisht raporti që krijon me njeriun. Zonja Aurora Daja ka krijuar një institucion të respektit, të vlerësimit të profesionistëve, të mirëkuptimit, të një energjie pozitive, Çfarë i jep një mundësi institucionit të kuptojë se ky është një hap zhvillues, sepse kur ne vlerësojmë profesionistët dhe ua lëmë barrën mbi supe profesionistëve, do të thotë që profesionisti shkon drejt zhvillimit. Në qoftë se ti e tundon ose e trysnon profesionistin, do të thotë që ti profesionistin e ke vendosur në kufijtë e mbijetesës, që do të thotë që nuk i jep atij alternativën e zhvillimit. Duke menduar që modele si Aurora Daja kanë shumë nevojë të jenë në shoqërinë shqiptare që të mos harxhojmë energji mbijetese, por të shkojmë drejt zhvillimit."