RTSH 24 Live

Kulturë

"Çfarë u tha dhe çfarë u bë" - Editorial nga Elsa Demo për "Artes"

25/06/2024

"Çfarë u tha dhe çfarë u bë" - Editorial nga Elsa Demo për "Artes"

Veprat e Riçard Orlinskit (o. Richard), një artist bashkëkohor francez best-seller, do të dekorojnë, deri sa të shiten, hapësirat e jashtme të Piramidës. Kritikë të huaj arti e ftojnë publikun që kafshë si peshkaqeni dhe luani, mishërim i dhunës dhe pushtetit, t’i shohë si vepra arti sublime dhe madhështore. U ekspozuan gjatë javës franceze të kulturës si pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare që organizohen në kryeqytetin e Shqipërisë prej tre vjetësh. Që të përballosh intensitetin e këtyre aksioneve të rrufeshme, politike në fakt, nga ushqimi dhe pijet në Sheshin Skënderbe tek teatri mbi liqen, duhet të kesh nge, rini dhe garanci. Nëse jo, organizo atëherë festivalin tënd, siç bëri thirrje kryetari i bashkisë së Tiranës në megafestën e hapjes së Javëve. Me fjalë të tjera, bëj dhe ti një festival në shkollë, në vendin e punës, në biznes.

Një festival për çdo njeri - është pamja e kulturës në vendin tonë, ku realiteti ia kalon çdo forme kulture.

E vërtetë është që Shqipëria nuk përfaqësohet aty ku do duhej, në festivale të rëndësishme në botë për teatrin, kinematografinë, muzikën apo letërsinë. Zero pjesëmarrje vitin e fundit.

Në “Artes”, gjatë sezonit 2023–2024, kemi prezantuar edhe një studim që tregon se kjo kulturë ludike, e qejfit dhe e konsumit të shpejtë, ka dëmtuar idenë tonë për kulturën, atë breg ku një vend i qytetëruar ankoron pa frikën e krizave që sjell e tashmja.

Shqipëria importon shumë prodhim kulturor dhe eksporton shumë më pak nga sa ajo vetë prodhon. Publiku trajtohet si obez që konsumon vetëm ushqim të gatshëm, më së shumti pa futur dorën në xhep për një biletë.

Bazuar në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës që INSTAT-i zhvillon dhe në të dhënat e siguruara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, rezulton se, për vitin 2023, institucionet kombëtare të artit dhe kulturës kanë organizuar gjithsej 1.175 shfaqje, të ndjekura nga 153.041 spektatorë. Në krye të listës qëndron Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit me 55.852 spektatorë, 3 herë më shumë se një vit më parë. Në ngritje është Teatri Kombëtar me 28.900, gjithë të tjerat janë në rënie: Teatri Kombëtar Eksperimental, Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, Cirku Kombëtar, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë (këtë të fundit nuk ka kuptim ta fusësh tek institucionet që kanë komunikim të drejtpërdrejtë me audiencën).

Zhvillimet e disa prej këtyre institucioneve “Artes” i ka ndjekur e pasqyruar dhe vëren se ka diferencë mes asaj që kanë thënë drejtuesit dhe çfarë është bërë gjatë këtij sezoni.

Teatri i Operës dhe Baletit mund të jetë në krye me shifra spektatorësh, por kalendari të cilën e përgëzuam një herë, shohim se mbulon probleme më të thella të lidhura me mungesën e profesionistëve në drejtim artistik, dirigjim, regji, kanto, balet. Trupa po plaket. Mosha mesatare e balerinëve është mbi 35 vjeç, pavarësisht se në spektaklet televizive shkëlqejnë. U shty një natë e “Plagës së dhjetë të Gergj Elez Alisë”, sepse një balerinë u dëmtua. Trupa nuk ka solistë mjaftueshëm. Repertori kombëtar, ai i realizmit socialist, riciklohet me kostume të reja.

Koha televizive që merr TOB-i është në zenit, por nuk i mjafton drejtoreshës që, nën modelin e kryeministrit, të krijojë edhe ajo TOBcastin e vet. Natyrisht aty nuk mund të flitet për sa më lart dhe as për bastardimin e shqipes në përkthimet trashanike të një “Carmina Burana” apo “Madama Butterfly” të titruara mbi skenë.

Teatri Kombëtar vazhdon pa kalendar. Produksionet private kanë epërsinë ta devijojnë politikën që do duhej të ndiqte një institucion kombëtar. Mendimi që ka për veten ky teatër është më i lartë se e vërteta. Rrjetet e tij sociale thonë që po mbyllet një sezon “i suksesshëm, i mbushur plot me aktivitete, projekte e duartrokitje”, përfshi “Festivalin Moisiu”, që kishte “shfaqje të jashtëzakonshme me sallën plot”. Përkundër detyrimit për të prodhuar dy drama shqipe në një vit, sezonin që lamë pas, TK kaloi në ekses me pesë vepra shqiptare pa cilësi.

Teatri nuk i kapërcen kufijtë shqiptarë as në festivale më afër nesh si ai i Sofjes, Ljubljanës, Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, për të mos folur për festivalet e Pragës, Poznanjit apo Lajpcigut.

Përballë këtyre treguesve, shifrat e INSTAT-it janë pa kuptim.

Vetëm cilësia e lartë artistike e justifikon të renë,” do thoshte Gjergj Prevazi, drejtuesi i Teatrit Kombëtar Eksperimental. Mund ta themi ndryshe këtë: të renë mund ta sjellin të aftët dhe guximtarët.

Dështoi ky teatër me punëtorinë e dramës shqipe. Me pjesën bashkëkohore “Këngëtaret e klubit të natës” tregoi se sa kollaj është të denigrosh në emër të së resë dhe eksperimentimit në art artistë si Aleksandër Moisiu.

Përpos të gjithave, drejtuesit e këtyre skenave pranojnë të punojnë me buxhete poshtëruese për një institucion kombëtar. Për rrjedhojë, nuk ka pasur asnjë investim për teknikë dhe teknikën e skenës, ajo që e bën teatrin të jetë vërtet art skenik, por që konsumohet në çdo shfaqje. Po kështu, asnjë iniciativë për botime apo digjitalizim të arkivave që janë jetike për memorien e një institucioni me histori 80-vjeçare.

Arkitekturës i është lënë një hapësirë e mirë në “Artes”, sepse ajo na ndihmon që nga pjesa të shohim të tërën dhe të lexojmë më mirë kontekstet. Për shembull, nëse do të deshifrosh fenomenin e kullave të ndërtimit, shih cilin objekt kanë pranë. E ashtuquajtura “bookbuilding” që propozon në reklamë një “different concept of living” ka përbri Bibliotekën Kombëtare, e cila po vegjeton, pardon, po jeton sipas një “ideje jopopuliste”, do thoshte drejtori i saj.

Përkarshi Continentalit, një lloj Kroni që ka përpirë babain e vet, Hotel Tiranën, është Muzeu Kombëtar, edhe ky është tërhequr në “jopopulizëm”. Në atë rrugë po shkon Galeria Kombëtare, pasi i ka dorëzuar të gjitha kompetencat për të luajtur ndonjë rol në skenën e artit bashkëkohor në vend. Nga ky kapitull, mjafton të përmendim se sezonin e shkuar, përfaqësuesi i shtetit shqiptar në Bienalen e Venecias sërish nuk u zgjodh, por u caktua nga një grup flirtues me pushtetin. Ishte rasti i Iva Lulashit që nga muret e studios i vari punët në muret e Bienales.

Nuk mbetet jashtë këtij konteksti Piramida me fytyrën e saj të re. Prapa këtij objekti, fshehur në sqetullën e kafeneve, është Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, kombëtare në kuptimin jopopulist që i jepet sot kombëtares te ne. Roli i saj nuk ka qenë ndonjëherë në lartësinë e detyrave që i ka vënë vetes: ta çojë letërsinë shqipe te lexuesi, të njohë dhe të mbrojë të drejtat e autorit shqiptar. Madje është e qetë që nuk i bën as këto. Kjo ia ka bërë më të lehtë punën ministrit Blendi Gonxhe që ministria e tij të ngrejë një festival letrar ndërkombëtar pa autorë shqiptarë, nën drejtimin e një shkrimtareje-star. 

Kështu pra, kullat e ndërtimit janë projeksion i kullave të mendimit.

Po kemi pasur edhe ditë të bukura gjatë këtij sezoni, me artistë që janë gati për të dështuar, sepse guxojnë të shkelin në një territor të ri, pa bërë kompromis me emrat e tyre.

“Na duhen krijues dhe jo lypës”, tha në “Artes” një menaxher arti “dhe për këtë duhet një ndryshim radikal”. Na duhet të punojmë kopshtin tonë, do thoshte optimist Kandidi, sepse njeriu nuk lind për t’u prehur. Jeta bëhet më e durueshme kur arti vendos rregull në kaos, krijon një iluzion, ekspozon aftësitë njerëzore, çliron të pavetëdijshmen, shëron dhe gjen një kuptim për jetën.

Mirupafshim në sezonin e ardhshëm! Qofshi mirë!

Editorial nga Elsa Demo

/rtsh.al/