"Vila 31", dikur vendqëndrimi i ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut, tanimë është kthyer në një rezidencë arti e dialogu.
Projekti u prezantua më 16 janar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Zv.ministrja Lira Pipa tha për emisionin "Mirëmëngjes Shqipëri" në RTSH 1 se ideja për këtë zhvillim nisi dy vite më parë, kur vendin e vizitoi presidenti francez Emannuel Macron.
"Fondacioni 'Art Explora' dhe studioja 'Nem Architects', të dyja me bazë në Francë, u ftuan për këtë bashkëpunim të guximshëm, duke i vendosur në një funksion të ri mobiliet e restauruara. Ndërsa origjinaliteti është ruajtur, kemi ndërthurur karakteristika të reja, objekte të bardha, për t'i dhënë një profil më rinor e inovativ ambienteve.
Kthimi i kësaj vile në një rezidencë artistike lidhet edhe me një lloj metafore, pasi dikur ka shërbyer si epiqendra e censurës së shprehjes e mendimit të lirë, ndërsa sot përçon mesazhin e hapjes dhe që artistët të japin kontributin e tyre. Ka një bashkëjetesë midis artistëve shqiptarë e të huaj në vilë. Do të ketë një program të pasur dhe qytetarët do të jenë të lirë ta vizitojnë.
Pjesa e regjimit komunist paraqet pikërisht atë që Shqipëria ka kaluar. Duhet ta punojmë dhe ta kujtojmë sistemin e asaj kohe që të mos bien sërish pre e atij sistemi. Sot është ndër të tjera edhe dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të holokaustit. Po punohet edhe për dy muze të rëndësishme, si muzeu 'Besa' në qendër të Tiranës, në një nga banesat shumë të njohura tiranase, dhe Muzeu Hebraik në Vlorë. Të dyja veprat synojnë të rikthejnë vëmendjen mbi traditën, paqen, tolerancën dhe për të dëshmuar ato histori njerëzore që brezat e ardhshëm duhet t'i njohin," deklaroi zv.ministrja Pipa.
Në fund të dhjetorit, Ministria e Kulturës hapi dy thirrje, duke ftuar organizatat dhe artistët që të aplikojnë për ngjarje të ndryshme kulturore dhe panaire deri më 7 shkurt, në mënyrë që të mbështeten financiarisht për programet e tyre dhe për ta pasuruar kalendarin artistik të vitit 2025.
Javët kulturore ndërkombëtare konsiderohen po ashtu një sukses për Shqipërinë për të katërtin vit radhazi. Vitin e kaluar pjesëmarrëse në këtë program kanë qenë 22 shtete.
"Duam gjithashtu të bëjmë një program të ri, që janë Ditët Kulturore Shqiptare në Botë, për të çuar e mbështetur artistët shqiptarë jashtë."
/rtsh.al/