Shtimi i shpejtë i karkalecave në të mbjellat e Dumresë, që po kërcënon kulturat bujqësore ka vënë në vështirësi fermerët e zonës të cilëve u kërcënohet rendimenti dhe cilësia.
Për tu ardhur në ndihmë fermerëve drejtoria e shërbimit veterinar dhe e mbrojtjes së bimëve ka nisur disifektimin në disa zona të Bashkish së Belshit pasi situata e krijuar nga insekti me origjine italiane dhe marokene konsiderohet si emergjente.
“Kemi vatra të reja për të cilat me mbështetjen e ministrisë së Bujqësisë kemi marrë të gjitha masat për të ndërhyrë në të gjitha parcelat e vatrat e prekura nga karkaleci maroken dhe italian”, tha Fatmir Ozuni, Drejtori Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve Elbasan.
Ekspertet e sektorit rajonal te mbrojtjes se bimëve theksojnë se është koha për të ndërhyrë përmes dezinfektimit, pasi kjo është breznia e trete dhe e katërt e karkalecit, çka do të thotë se dhe eficenca do të jetë e lartë.
“Efektiviteti i luftimit do të jetë shumë i lartë pasi do të kapet në vatrat dhe ne momentet e para gjithashtu dhe kostoja e trajtimeve do të jetë shumë herë më e ulët”, tha Ramazan Kapllani përgjegjës i sektorit rajonal të mbrojtjes së bimëve.
Në zonën e Dumresë mendohet të dezinfektohen rreth 150 Ha por kjo sipërfaqe mund të shtohet duke parë situatën, pasi kolonia e karkalecave po fiton gjithnjë e më shumë terren.
Aktualisht po përdoren preparate me ndikim të ulët në mjedis, blegtori dhe bletari dezinfektimi sipas këshillave të specialisteve duhet bërë në orët e para të mëngjesit.
Prej vitesh fermerët e Belshit janë në gjendje alarmante për shkak se ky insekt ka dëmtuar masivisht të mbjellat dhe kërkojnë mbështetje pasi vatrat e infeksionit janë të mëdha dhe për ta është e pamundur që të sigurojnë preparatet e duhura për eliminimin e këtij insekti.
/RTSH/