Autoritetet greke kanë njoftuar se ka shkuar në 57 numri i të vdekurve në aksidentin tragjik të ndodhur më 1 mars 2023 në Tempe të Greqisë Veriore kur një tren udhëtarësh u përplas me një tren mallrash.
Autoritet greke kanë nisur sot identifikimin e viktimave përmes AND-së ndërkohë që vijon dhe kërkimi dhe identifikimi i personave të tjerë të humbur.
Edhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi znj.Luela Hajdaraga prej ditës së djeshme ndodhet në Larisa ku u takua dhe bisedoi me përfaqësues të Brigadës Zjarrfikëse të kërkim-shpëtimit të angazhuar pas aksidentit fatal.
4 shqiptarë të zhdukur
“Situata është e rëndë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me policinë greke” thotë ambasadorja Hajdaraga në një prononcim për rtsh.al. pasditen e sotme
Ambasadorja Hajdaraga vizitoi edhe Spitalin Universitar dhe Spitalin e Përgjithshëm të Larisës, ku po trajtohen disa shqiptarë të lënduar ndërkohë që për rtsh.al konfirmon se me statusin e të zhdukurit janë 4 shtetas shqiptarë, mes tyre dhe Klaudia Lata, studentja 21 vjeçare e mjekësisë.
“Jemi në dijeni të këtij rasti që ditën e djeshme. Kam qenë edhe në kontakt me familjarët. Rastin është në proces identifikimi nëpërmjet ADN. Për momentin statusi është e zhdukur. Me këtë status janë edhe tre shtetas të tjerë me origjinë shqiptare.
Sot ka pasur edhe 17 viktima të tjera, gjithashtu në proces verifikimi.Sapo të marrim informacionin zyrtar nga strukturat përkatëse do ju informoj ” informon ambasadorja ekskluzivisht për rtsh.al
Veç Klaudias për rtsh.al ambasada konfirmon dhe emrat e dy prej shqiptarëve me statusin e të zhdukurit Pavlin Bozo dhe Denis Ruçi.
Ndërkohë shqiptarët Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeç po trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv, ndërsa 7 shtetas me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të lënduar, jashtë rrezikut për jetën.
"Kam qenë pranë këtyre personave, ndodhen në Reanimacion por të stabilizuar" na sqaron ambasadorja Hajdaraga.
Foto: Klaudia Lata
Hetimet
Tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit tragjik. Prokurori i Gjykatës së Lartë Isidoros Dogiakos me urdhrin e tij të ri kërkon identifikimin e përgjegjësve “kushdo që të jenë, kudo që të takojnë, ngado që vijnë.
Ndërkohë Ministri grek i Transportit, Kostas Karamanlis ka dhënë dorëheqjen. Ai ka thënë se po largohej nga detyra "në shenjë respekti ndaj njerëzve që vdiqën në mënyrë të padrejtë".
Gazetare: Suela Gera - Alliu
/rtsh.al/