RTSH 24 Live

Ekonomi

“200 euro pension bazë me 20% rritje në vit”, Ministrja Ibrahimaj rrëzon propozimin e PD

01/11/2024

“200 euro pension bazë me 20% rritje në vit”, Ministrja Ibrahimaj rrëzon propozimin e PD

Ndryshe nga qeveria, e cila po merr më shumë kohë për të llogaritur dhe deklaruar shifra konkrete në lidhje me rritjen e pensioneve, opozita e ka bërë të qartë qendrimin e saj. Kreu i PD-së Sali Berisha ka propozuar që çdo I moshuar, përfshirë ata që nuk kanë paguar asnjëherë sigurime, të ketë pension bazë sa minimum jetik 200 euro dhe, mbi këtë bazë, të gjithë pensionistët e tjerë do të kenë një rritje të pensioneve prej 20%.

Por për Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ky është një premtim elektoral që kërcënon dhe vë në rrezik skemën e pensioneve. “Është shumë e thjeshtë të bësh premtime, kur je në opozitë, sepse nuk ke asnjë përgjegjësi për mbajtjen e premtimeve. Që të rrisësh pensionin minimal në 200 mijë lekë dhe pastaj ta rrisësh 20% çdo vit, veçanërisht ky i dyti, është një premtim shumë i vështirë që të mbahet. 20% është shumë,” tha zonja Ibrahimaj, e cila nuk preferon që t’i hyjë llogarive të detajuara për propozimin e opozitës, por beson se kjo nuk është një skemë e qendrueshme.

Buxheti nuk është matematikë, por duhet llogaritur 200 mijë lekëshi, duhet llogaritur 20%-shi i rritjes, duhet llogaritur indeksimi dhe këtu skema e pensioneve fillon e shpërthen nga këto premtime, të cilat janë të pamatura. Pra, 20% rritje në vit e pensioneve dhe rritje edhe e bazës, do të çonte në një ngushtim të masave të pensioneve dhe mendoj që do të çonte në një shpërthim të skemës së pensioneve,” tha për emisionin “Pa Censurë” Delina Ibrahimaj.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen bëri të qartë pozicionin e qeverisë se çështja e pensioneve nuk duhet parë si një çështje elektorale afatshkurtër. Për këtë arsye, ajo tha se qeveria Rama po përpiqet të sjellë një propozim afatgjatë që nuk e dëmton ekonominë dhe ndihmon realisht pensionistët.

Gazetare: Elona Meço

/ rtsh.al /